Të paktën 23 persona kanë mbetur të plagosur dhe pesë të tjerë janë arrestuar pasi marshimi i minatorëve dhe sindikatave kundër mbylljes së minierave të qymyrit janë përfshirë nga dhuna në zemër të Madridit.
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur për mediat ndërkombëtare se të paktën një person ka mbetur i plagosur nga plumbat prej gome të qëlluar nga agjentët ndaj manifestuesve, që kanë reaguar duke hedhur gurë drejt furgonave të policisë.
Përleshja ka zgjatur rreth një orë. Shërbimi mjekësor lokal ka informuar se mes të plagosurve janë 12 minatorë, 6 policë dhe pesë pjesëmarrës në marshim.
“Policia spanjolle ka qëlluar plumba gome ndaj minatorëve që manifestonin në qendër të Madridit kundër mbylljes së paralajmëruar të minierave të qymyrit”, shkruan BBC në edicionin online.
Ndërsa sipas France Presse, situata u tensionua në veçanti në zonën Paseo de la Castellana, arteria e madhe që ndan qendrën e Madridit, ku ndodhet dhe Ministria e Industrisë.
Sipas të njëjtit burim, përleshjet janë regjistruar pasi protestuesit kanë hedhur gurë drejt forcave të rendit, duke plagosur dy prej tyre.
Më herët kryeministri spanjoll Mariano Rajoy njoftoi rritjen e TVSH-së me 3% si pjesë e masave antikrizë që vendi duhet të marrë për reduktimin e defiçitit buxhetor.
Top Channel