Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen ka deklaruar të mërkurën nga Prishtina se për veriun e Kosovës nuk ka një zgjidhje ushtarake.
“Nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë problem. Ne duhet të kemi një proçes politik i cili duhet të sjellë integrimin e plotë të pjesës veriore të Kosovës në shoqrinë kosovare”, ka thënë Rasmussen.
Gjatë vizitës së tij në Prishtinë, i shoqëruar nga një delegacion i Aleancës, Rasmussen është takuar me komandantin e KFOR-it, Erhard Drews, kryeministrin Hashim Thaçi dhe zyrtarë të tjerë.
Shefi i NATO-s ka ftuar autoritetet në fjalë që të vazhdojnë dialogun me Beogradin, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje që përjashton opsionin ushtarak për veriun.
“Kjo kërkon angazhim nga autoritetet në Beograd, por edhe guxim politik dhe përkushtim nga autoritetet politike në Prishtinë”, ka thënë më tej Rasmussen.
Ai ka nënvizuar se mes dy vendeve ka ende shumë çështje të pazgjidhura, ndaj dhe duhet të vazhdojë dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Ndonëse ka pranuar se ka pasur njëfarë progresi në fushën e sigurisë, shefi i Aleancës ka vlerësuar se aktet e dhunës në veri e kanë cënuar atë.
“Vitin e fundit kemi parë dhunë në pjesën veriore dhe dua të theksoj se ne do të ndërmarrim hapat e nevojshëm për të përmbushur plotësisht mandatin në bazë të rezolutës 1244, për një ambjent të qetë e paqësor“, ka shtuar Rasmussen.
Top Channel