Presidenca qipriote e BE-së

11/07/2012 00:40

Presidenca qipriote e Bashkimit Europian, e cila nisi punën më 1 korrik, e ka vënë zgjerimin prioritet parësor të politikës së jashtme këto gjashtë muaj.

Gjatë prezantimit para komitetit të jashtëm të Parlamentit Europian, Ministrja e Jashtme qipriote deklaroi linjën udhëheqëse ndaj të gjitha vendeve aspirante: kushtëzim rigoroz dhe vlerësim vetëm sipas rezultateve.

Erato Kozakou Marcoullis, Ministre e Jashtme e Qipros, Presidenca e BE:


“Në lidhje me zgjerimin, ne do të udhëhiqemi nga parimi i kushtëzimit rigoroz dhe nga vlerësimi i të gjithë kandidatëve sipas rezultateve të arritura. Për Shqipërinë ne besojmë se parësore mbetet përmbushja e 12 prioriteteve kyçe, para se vendi të mund të lëvizë drejt BEsë”.

Ndërsa vlerësoi arritjet e Kroacisë e Malit të Zi, dhe pasi lavdëroi Serbinë, ministrja qipriote rrëfeu edhe qëndrimet e ngurta për Maqedoninë, me të cilin vendi nuk ka mardhënie diplomatike, dhe për Kosovën, pavarësia e së cilës nuk njihet nga Qipro.
 
Erato Kozakou Marcoullis:


“Në lidhje me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, ne si Presidencë mendojmë se zhvillimet pozitive në lidhje me çështjen e emrit do të përmirësonin pozicionin e IRJM-së. Me Kosovën, megjithë qëndrimin e qartë të Republikës së Qipros kundër deklaratës së njëanshme të pavarësisë, është e rëndësishme që si Presidencë ne do të jemi objektivë, do të respektojmë plotësisht qëndrimet e partnerëve tanë dhe do përpiqemi të bëjmë maksimumin”.
 
Përveç inkurajimit për punën e vështirë që e pret në krye të BEsë në gjysmën e dytë të këtij viti, diplomacia qipriote u përball edhe me kritikat e hapura të eurodeputetëve për afërsinë tepër të ngushtë mes Nikosisë dhe Moskës, përfshirë këtu “mbylljen e syve” për trafikun e armëve nga Qipro drejt Sirisë, në ndihmë të regjimit gjakatar të Asadit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA