Qeveria e re e Greqisë ka lënë përshtypje të mira, por tani ajo duhet të çojë përpara vendime të vështira derisa programi i reformave të marrë rrugë.

Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm finlandez, Alexander Stubb, pas një seri takimesh zyrtare të zhvilluara të mërkurën në Athinë.

Qeveria finlandeze ka qenë një nga kritiket më të forta të Greqisë, por sot, përmes ministrit të saj ka dhënë një shenjë mbështetjeje për koalicionin që udhëheq ekzekutivin helen.

Ndërkohë, kryeministri finlandez Jyrki Katainen ka paralajmëruar në një deklaratë se, “situata e euros është e rrezikshme, shumë e rrezikshme”.

“Situata e euros është e rrezikshme, shumë e rrezikshme. Të gjitha shtetet duan të ruajnë euron, por ka përplasje mbi masat që duhet të merren”, ka thënë Katainen.

Kryeministri ka sqaruar se të gjitha vendet, përfshirë Finlandën, po shqyrtojnë mundësinë se gjithçka mund të falimentojë.

Koalicioni që udhëheq qeverinë e re greke, të drejtuar nga Andonis Samaras, deklaroi pas marrjes së detyrës se do të punojë për qëndrimin e vendit në eurozonë.

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian i bëri të qartë Athinës pak ditë më parë se, pa reformat e kërkuara ekonomike nuk do të mund të marrë këstin e radhës së ndihmës financiare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA