Eurozona, brenda 4 viteve, miliona të papunë

11/07/2012 15:35

Organizata Ndërkombëtare e Punësimit paralajmëroi se vendet e Eurozonës mund të humbasin deri në 4.5 milion vende pune në katër vitet e ardhshme.

Kjo organizatë publikoi raportin e saj mbi papunësinë në Eurozonë. Vendet më të goditura janë Greqia, Spanja, Portugalia, Irlanda dhe Italia. Të gjitha qeveritë e këtyre vendeve kanë marrë masa drastike për shkurtimin e borxhit, shkurtime këto që kanë prekur sektorët jetikë në hapjen e vendeve të reja të punës.

Por përveç efekteve negative, shkurtimet dhe rritja e taksave, si ndaj biznesit ashtu edhe ndaj personave kanë trembur edhe investitorët të cilët ngurojnë të zgjerojnë aktivitetin e tyre në vendet e prekura nga kriza duke u hequr ekonomive përkatëse mijëra vende të reja pune.

Në fund të raportit, Organizata Ndërkombëtare e Punësimit thotë se qeveritë po ndjekin rrugën e gabuar për të dalë nga kriza dhe apelon për rritjen e investimeve dhe shpenzimeve publike nga qeveritë përkatëse,  pasi vetëm kështu, sipas saj, do të luftohej papunësia e lartë.

Papunësia në Eurozonë, që nga nisja e krizës financiare globale ka prekur nivele rekord, një situatë që nuk është parë që nga Lufta e Dytë Botërore. Nga të dhënat e qeverive, Spanja zë vendin e parë me rreth 21 përqind të papunë, në Greqi shifrat vërtiten rreth 20 përqindëshit, 15-20 përqind edhe Portugali, mbi 14 përqind në Irlandë dhe 9-11 përqind në Itali.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA