Dorian Koçi – Sesioni parlamentar i vitit 2012-2013 është një sesion
vendimtar për krijimin e një klime politike të qetë, e cila do të bënte
të mundur që edhe zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013 të
zhvilloheshin si një triumf i demokracisë dhe jo të kontestoheshin që në
momentin e nxjerrjes së rezultatit të tyre.
Mirëpo për të arritur në këtë moment, që përbën edhe një qëllim në vetvete, besoj dhe të forcave politike në Shqipëri, kërkohen që përveç vullnetit politik të realizohen edhe disa hapa teknikë që do ta përmirësonin ndjeshëm situatën. Aspekti më i rëndësishëm i këtyre hapave teknikë është miratimi me konsensus i një kodi të ri elektoral, që do të bënte të mundur shuarjen e kontradiktave midis dy palëve të politikës.
Kodi Elektoral vazhdon të mbetet thembra e Akilit të çdo procesi zgjedhor në Shqipëri dhe si i tillë ai duhet të kalojë përmes një procesi të vështirë, por jo dhe të parealizueshëm të hartimit të tij, sigurisht, duke iu përshtatur ndryshimeve të mundshme dhe lëshimeve që do të bëjnë në momentin final të dy partitë e mëdha shqiptare. Themi të vështirë, jo sepse ka vështirësi teknike që do të sillnin moszbatimin e tij, por sepse si e ka treguar koha më vështirë është që të dyja palët të cenojnë interesat e tyre partiake sesa të demonstrojnë një kulturë shtetformuese të arritjes së standardeve zgjedhore. Paradoksi qëndron në faktin se, ndërsa të dyja palët bien dakord për t’u ulur në tryezën e bisedimeve deri më tash kur ka mbetur dhe një javë nga afati i vendosur për mbylljen e saj, asnjë gjë konkrete nuk ka dalë në dritë për të treguar se ka dritë në fund të tunelit për të arritur një marrëveshje. Mesa duket sërish po zhvillohet loja e zakonshme për t’ia faturuar dështimin palës tjetër dhe njëra palë të bëjë viktimizimin. Kjo lloj sjelljeje, në dukje foshnjore nga të dy partitë politike, ka detyruar disa eksponentë të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri që ta ngrenë zërin e tyre për mënyrën sesi po veprohet, por dhe për të marrë garanci se çdo gjë do të ecë sipas dëshirës dhe planit të tyre, që korrespondon në fakt edhe me dëshirën e partive politike, por mbi të gjitha të elektorateve që ato përfaqësojnë.
Shqipëria dhe populli në masë shqiptar është tepër i lodhur nga konfliktet e egra politike që jo vetëm turbullojnë jetën sociale në vend, por nuk arrijnë të përmbushin standardet e një sjelljeje të zakonshme politike, ashtu si në vendet e tjera. Kjo pamjaftueshmëri demokratike dhe lodhje e njerëzve nga politika ka rezultuar fatale për fatet e demokracisë në Shqipëri, pasi pjesëmarrja e njerëzve në votime nuk i kalon më shumë së 50% të zgjedhësve, por dhe ka krijuar një klimë konflikti të vazhdueshëm që ka spiralet e veta pothuajse gjithmonë në ngjitje e sipër. Po kështu, koncepti i llogaridhënies pothuajse nuk ekziston, pasi pjesëmarrja e vogël në votime, duke llogaritur që gjysma e atyre që votojë janë dhe punonjës të administratës publike, nuk krijon shumë mundësi për një pjesëmarrje të gjerë dhe aktive të popullsisë në demokracinë e drejtpërdrejtë. Parë në këtë këndvështrim, çdo përpjekje për ta ndryshuar këtë realitet dhe çdo veprim shtensionimi për të kapërcyer këtë ngërç të përhershëm të politikës shqiptare është për t’u përshëndetur dhe meriton vëmendje të veçantë. Para disa ditësh, Kryeministri u tregua i gatshëm të takohej me shefin e opozitës për të diskutuar në detaje rreth reformës zgjedhore dhe Kodit Elektoral, por deklarata e tij mbeti vetëm në kufijtë e një dëshire, pa specifikuar se do të merrte parasysh pretendimet e opozitës. Për më tepër, z. Berisha nuk kurseu edhe fjalët pozitive për kryetarin e KQZ-së, gjë që bie ndesh në mënyrë flagrante me perceptimin popullor në Shqipëri, por edhe me kritikat e komunitetit ndërkombëtar të bërë ndaj këtij institucioni. Nuk mund të ketë debat dhe takim konstruktiv kur këmbëngulet për të ruajtur të gjitha qëndrimet e vjetra dhe për të imponuar një kinse debat teknik, ku faktori njerëzor ka qenë përgjegjës për shtrembërimin e qëllimshëm të ligjeve.
Deklarata e Kryeministrit erdhi menjëherë pas deklaratave të disa ambasadorëve të rëndësishëm në Tiranë, të cilët u kërkuan partive politike shqiptare që ta mbyllnin reformën elektorale brenda afatit, duke u rikujtuar edhe njëherë se është një nga 12 pikat që Shqipëria duhet të plotësojë për të marrë statusin e vendit kandidat në vjeshtë. Ky presion i tyre vjen në kohën e duhur dhe jo vetëm që nuk është bezdisës, por sigurisht që duhet vështruar me kujdes për të zbuluar nëse do të ndiqet edhe nga qëndrime të tjera të tyre apo dhe dilemës se si do të reagojë opozita ndaj ftesës së Kryeministrit Berisha për të pasur një takim kokë më kokë me kreun e saj. Përzgjedhja e drejtë e një Kodi Elektoral, duke braktisur mentalitetin e shprehjes së njohur më mirë një “vezë sot sesa një pulë mot”, do të çlironte energji të reja mes njerëzve dhe vendi do të fillonte të ecte mbarë drejt zgjedhjeve të pakontestueshme dhe krijimit të një klime besimi mes palëve.
Të gjitha çështjet, si riformatimi i KQZ-së apo shkarkimi i kryetarit të saj, janë çështje që mund të përfundojnë brenda një ore me vullnetin e mirë të të dyja palëve, ndaj është i nevojshëm çfarëdolloj aksioni politik që mund të sjellë këtë paqe të sinqertë dhe shumë të kërkuar mes palëve. Shqipëria e vitit 2012 nuk është Shqipëria e disa viteve më parë, kur vullneti politik mund të merrej peng dhe qytetarët ndiheshin të pafuqishëm për të parandaluar çfarëdolloj abuzimi mbi ta. Demokracia liberale ka në thelb të saj pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në të dhe lojën e drejtë përmes zgjedhjeve, si i vetmi mekanizëm legjitim që mund të garantojë vazhdimësinë politike dhe shoqërore të sistemit. Si shikohet reforma zgjedhore përfshin një pjesë të madhe të sfidave që has demokracia në Shqipëri, ndaj partitë politike s’kanë më se ç’presin nëse dëshirojnë të presin një biletë për trenin e radhës në Bruksel. Stacioni ku do të hipin është në të njëjtin vend prej nga janë nisur dhe vende të tjera, vetëm se na duhet që biletën ta presim vetë kësaj radhe, pa ndihmën e askujt, për të treguar se edhe ne jemi të aftë t’i bashkëngjitemi Europës.
Top Channel