Viktimat e përmbytjeve në Rusi

10/07/2012 00:15

Humbjet e jetëve njerëzore nga përmbytjet në Rusi mund të kishin qënë më të pakta nëse popullata do të ishte paralajmëruar në kohë. Qeveria ruse pohoi se zyrtarët nuk e kanë menaxhuar situatën sic duhet, e për këtë presidenti Vladimir Putin kërkoi një raport të detajuar.

“Ju dhe unë mund ta shohim se përmasat e kësaj tragjedie janë vërtet të mëdha. Është e nevojshme të analizojmë arsyet e kësaj ngjarjeje. Patjetër që kemi të bëjmë me një fenomen natyror, por pavarësisht kësaj duhet të shqyrtojmë të gjithë mënyrën sesi u veprua, sesi funksionuan shërbimet përfshirë sistemet hidro-teknike, cfarë u bë e cfarë u anashkalua, dhe cfarë është bërë në vende të tjera që përballen me situata të ngjashme”, tha Putin.

171 vetë gjetën vdekjen nga përmbytjet në rajonin jugor të Krasnodarit. 17 konsiderohen të zhdukur, 210 janë të shtruarit në spital, 48 prej tyre fëmijë.

Ato që po përshkruhen si mangësi serioze menaxhimi, i kushtuan vendin e punës dy drejtuesve lokalë.

Ministri rus i Emergjencave, Vladimir Puchkov e pranoi se ka patur paralajmërime, por janë bërë edhe shumë gabime gjithashtu, e jo të gjithë banorët e kanë mësuar në kohë se cfarë rrezikonin.

Zyrtarët rajonalë mbrohen duke thënë se i bënë paralajmërimet e përmbytjeve duke përdorur sirenat, altoparlantët e mesazhet në celularë, por shumë prej vendasve ishin në gjumë, e nuk kanë dëgjuar gjë.

Një ditë zije u mbajt për viktimat e vërshimit të ujrave që shkatërroi qytezën Krymsk.

Operacionet e ndihmës kanë nisur të marrin ritëm, e qindra vetë mësohet të jenë sistemuar në qëndra të përkohshme pritjeje.

Korrespondentëve të huaj u ka rënë në sy solidariteti i treguar me të prekurit nga fatkeqësia natyrore. Banorë të zonave përreth kanë dalë vullnetarë të pastrojnë rrugët e të largojnë ujin.

Ekziston një bindje e fshehtë se diga e ndodhur aty ka pjesën e saj në përmasat e përmbytjeve. Banorët nuk mendojnë se reshjet kanë qënë shkaku i vetëm i një vërshimi të tillë ujrash, por zyrtarët vazhdojnë të këmbëngulin se arsyeja ishin shirat e dendur, 5 herë mbi mesataren mujore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA