Norvegji, punëtorët e naftës i kthehen punës

10/07/2012 00:00

Qeveria e Norvegjisë ka përdorur kompetenca shtesë për të ndërhyrë dhe për të detyruar punëtorët e kompanive të naftës dhe gazit që t’i jepnin fund grevës 16-ditore.

Punëtorët e kompanive ishin hedhur në grevë për shkak të një çështjeje të lidhur me pensionet e tyre.

“Isha e detyruar ta merrja këtë vendim për të mbrojtur interesat jetike të Norvegjisë”, ka deklaruar për “Reuters” ministrja e Punës, Hanne Bjurstroem.

Ajo ka folur për një përpjekjeje të fundit që ishte bërë për t’i dhënë fund përplasjeve mes kompanive të energjisë dhe sindikatave tregtare.

Ndërhyrja do të thotë se Bordi Kombëtar i Pagave do të lehtësojë “arbitrazhin e detyruar” për t’i dhënë fund përplasjeve mbi të drejtat e pensionit.

Megjithatë, mbetet e paqartë se sa kohë do të marrë ky proçes. Kjo do të thotë se nuk do të ketë ndërprerje të punës për 6500 punëtorë të kompanive të gazit dhe naftës dhe se ata do t’i kthehen punës normalisht. “Nuk ishte një vendim i lehtë, por duhej marrë”, ka thënë më tej ministrja e Punës.

Ndërkohë, Leif Sande, lideri i sindikatës më të madhe të industrisë së energjitikës tha se punëtorët do t’i rikthehen punës menjëherë. “Është shumë e trishtueshme. Greva mbaroi”, ka thënë ai për gazetarët.

Top Channel