Ndue Dedaj – Nganjëherë sikur nuk kuptohet mirë se është një kategori njerëzish të
lirë, për nga përkushtimi partiak, që nuk do t’ia dijë për politikën, po
merret me zanatin e vet. Si puna e priftit. Këtij nuk ia kërkojmë diçka
të tillë, por e mirëkuptojmë ashtu siç është, i paparti.
Nganjëherë sikur nuk kuptohet mirë se është një kategori njerëzish të lirë, për nga përkushtimi partiak, që nuk do t’ia dijë për politikën, po merret me zanatin e vet. Si puna e priftit. Këtij nuk ia kërkojmë diçka të tillë, por e mirëkuptojmë ashtu siç është, i paparti. Ky term nuk është i ri, përkundrazi ishte i përhapur që në kohën e monizmit, ku njerëzit për të bërë të ditur përkatësinë e tyre, thoshin “jam i paparti”, ose i paorganizuar. Pra, nuk jam anëtar partie. Kurse sot sikur nuk ka fort mirëkuptim për ata që janë të paangazhuar politikisht dhe rrjedhimisht quhen të pavarur. Qenia jashtë politikës shihet jo rrallë si një lloj herezie. Pse, kush jeni ju që qenkeni ndryshe? E ka thënë Aristoteli, njeriu është kafshë politike. Ashtu si shumëkush, as unë s’e kisha parë të nevojshme të sqaroja “pozicionin” tim politik, përse duhet ta bëja këtë, dhe pikë së pari pse duhej të kisha me doemos një pozicion të tillë? Nuk e shoh as tani të nevojshme nga ana vetjake, po një shpjegim për militantët duhet bërë, në emër të një race që nuk është e shkruar në politikë, as me libër partie, as nga ndonjë bindje partiake. “E si nuk qenkeni diku i pozicionuar? Pa prit pak, gazeta ku ju shkruani a nuk është kundër qeverisë?…” Dhe refreni vazhdon me këso lloj shtjellimesh folklorike. Po pse more miq, a nuk mund të bëhet politikë dhe pa qenë në PD, PS a parti të tjera? A nuk ka dhe një lloj tjetër “politike”, që është si të thuash ajo e oponencës intelektuale, qytetare që nuk do të thotë të jesh patjetër me njërin formacion politik. Shumica e analistëve kështu janë, as të majtë, as të djathtë, siç janë po kaq të nderuar e profesionistë dhe ata gazetarë që i përkasin të majtës a të djathtës. Nuk do të kishte kuptim të ishin të gjithë të pavarur, apo të gjithë të përfshirë në politikë. Ashtu si gazetat më të njohura, që në thelb janë të pavarura si kur e kritikojnë si kur e lëvdojnë qeverinë, me përjashtim të pak gazetave pranë së djathtës ose pranë së majtës, që e kanë shpallur kredon që në fillim dhe nuk mund të gjykohen për zgjedhjen e tyre.
2.
Gjithnjë me lejen e lexuesit, në funksion të idesë së mbarështruar në këtë shkrim, si ndodhi që unë që po shkruaj këto radhë rrëshqita “majtas”? Ishte thjesht një episod njerëzor, më i majtë se vetë e majta, një proletar i kësaj kohe, ish i persekutuar politik, që më “komprometoi” majtas, pa qenë i majtë. Teksa duhej të ndodhte e kundërta, pasi a nuk ishte ai një personazh nga e djathta dhe shkrimi në tërësi një homazh për këtë shtresë disidente të vuajtur nën diktaturë dhe të pashpërblyer sot? Por nuk isha nisur nga ana politike, thjesht shkrova një artikull për një njeri pa asgjë në këtë botë, në vitin 2012, pa shtëpi, pa adresë, pa pasaportë, pa kartë identiteti, pa pension, pa përkrahje sociale. Si mund të mos shkruaja? Madje më parë kishte shkruar një tjetër gazetar, duke sensibilizuar deri në Amerikë me anë të rrjeteve sociale etj. E kishte dëgjuar prej tij historinë e dhimbshme dhe një zonjë shkodrane, bijë e një familjeje të persekutuar në komunizëm, e përfshirë së fundi në forumet e opozitës, e cila kishte shkuar tek ai njeri, i kishte lidhur dhe një pension modest familjes së tij të mjerë nga biznesi i saj. Kaq kishte qenë. “Pse, neve, ish të persekutuarve politikë, do të na e qajë hallin një socialiste? E ka për politikë ajo!…” E cili është mëkati im këtu, nëse dikush bën politikë, është në të drejtën e vet, unë thjesht bëj publicistikë. Edhe po të kishte shkuar dikush nga selia e PD-së, të njëjtën gjë do të kisha bërë, do ta kisha përmendur në gazetë me emër e mbiemër. Ndërkohë që zonja në fjalë nuk dha asnjë konferencë shtypi për gjestin e saj human. Dhe po me lejen e lexuesit, një tjetër episod, që tre vite më parë më kishte “kompromentuar” djathtas, pa qenë i djathtë. Kisha shkruar një opinion kundër anatemimit të rrugës së kombit, me ç’rast më qenë përgjigjur disa militantë të majtë, duke më thënë se po bëja lojën e Berishës në pragun e zgjedhjeve 2009, kur unë nuk kisha pasur asnjë pakt me liderin e demokratëve për ndonjë shërbesë ndaj tij, ashtu si dhe këtë herë me këtë zonjën, që në partinë e saj (PS) kryeson një komision për integrimin e ish të persekutuarve, sërish në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 2013-s. Teksa po vite më parë në “Shqip” kisha botuar shkrimin: “Modelet nuk kanë ngjyrë”, ku në njërën anë i bëhej jehonë punës së Bashkisë së Tiranës për kthimin në identitet të kryeqytetit (pra një model që udhëhiqej nga e majta) dhe, nga ana tjetër, spikatej puna e qeverisë për veprat e mëdha infrastrukturore të vendit (një model ky që udhëhiqej nga e djathta). Pas qasjesh të tilla mbase është e tepërt të shtohet se dikush ndihet mirë duke u marrë me politikë e dikush tjetër me… zejen e tij jopolitike. Në një shoqëri demokratike ato janë të larmishme dhe si të tilla duhen parë.
3.
Njerëzit e mediave, shoqërisë civile e të tjerë, që sot merren si të majtë, pasi shpesh kanë zë opozitar, të ngjashëm me opozitën, kurdo që ajo të vijë në pushtet, me siguri do të shfaqen si të djathtë, përkrah apo ngjashëm me të djathtën, pasi kjo është natyra e tyre, të jenë oponentë me çdo pushtet. Tjetër është oponenca mediatike dhe e shoqërisë civile me opozitën partiake. Fundja secili ka bërë zgjedhjen e tij, të merret ose jo me politikë. Pikërisht kësaj masës së paangazhuar i kërkohet mobilizim dhe rreshtim në prag të fushatave, atëherë ata tregohen me gisht se nga po mbajnë. Përgojohen jo pak nga militantët, përkrahësit e njërit a të tjetrit krah politik që i duan në anën e vet, madje duke i “bindur” se kështu ju po kontribuoni jo thjesht për formacionin tonë politik, por për vetë demokracinë, sikur vota në krahun tjetër të mos ishte e njëjta gjë. Harrojnë se sot nuk është si në ‘45-n, kur vota për Frontin ishte plumb për armikun dhe e anasjella. Dhe pse kanë kaluar kaq vite demokraci, prapë ata që nuk janë në rresht nuk shihen me sy të mirë, herë nga njëra palë e herë nga tjetra. Të vjen t’u thuash, po i lini ore njerëzit më në fund në zejen e tyre, ashtu si ju në tuajën. Ata nuk kanë të njëjtin shikim si ju ndaj qeverisë etj. Ata mund të mos jenë si ju entuziastë për liderin e “zemrës”, të majtin a të djathtin, pasi nuk janë në këto formacione. Ata kanë të drejtë t’i besojnë politikës, por janë të pafajshëm nëse nuk arrijnë t’i bëjnë këtë. Fundja, disi në stilin shqiptar, njerëzit as të majtë as të djathtë, duhen mirëkuptuar dhe për faktin se nesër kur të ndahen trofetë mes fitimtarëve, ata do të jenë dorëjashtë nga pushteti, nuk do të bëhen ministra, funksionarë, shefa, nuk do të gëzojnë asgjë nga privilegjet që thonë se t’i siguron pushteti, nuk do të jenë të favorizuar në tenderë, shkurt, nuk do të jenë klientë të pushtetit. Pra, kanë zgjedhur të rriskojnë si sot si nesër. Më e pakta, atëherë, pasi të pihet shampanja, atyre do t’u thuhet, po ju nuk jeni nesh, nuk jeni të partisë. A nuk ndodh dhe sot kështu, kur në Parlament majtas e djathtas ka deputetë legjendarë prej ‘90-s, apo gjysma e ministrave kanë nga shtatë vjet në të njëjtat fole pëllumbash në qeveri, e po ashtu sa prefektë, kryetarë bashkish e komunash, drejtorë me peshë në qendër e në bazë, dhe nga ata të përfolur për korrupsion, që janë aty thjesht si militantë, që nuk i duhen shtetit, por pushtetit, në funksion të betejave të nesërme e të përjetshme elektorale.
Njerëzit as të majtë as të djathtë janë më të ndjeshëm karshi këtyre tabuve të politikës, ndaj dhe nuk janë mirëkuptues me asnjërin krah politik që ka ngritur këtë sistem, por janë për ndryshim thelbësor të klasës politike shqiptare. Ata kanë alkiminë e tyre elektorale, që e prodhon atë “materien” e artë, fitoren zgjedhore, në parametrat bashkëkohorë, vetëm kur politika di t’i ndërthurë vizionet e saj me kapacitetet e tyre komunitare, intelektuale. Ata nuk janë pjesë e politikës aktive, zyrtare, po i shërbejnë asaj me votën e tyre, duke mbështetur pa paragjykim cilëndo forcë politike që është më bindëse në çastin e dhënë. T’i pranojmë, pra, ata ashtu siç janë, duke e dëgjuar politika zërin e tyre. Politika e qytetëruar nuk kërkon t’i lidhë individët pa parti pas qerres së vet, po shkon andej nga ata i kanë interesat, ngaqë janë dhe përcaktues në fatin e zgjedhjeve. Shihni si në Amerikë, tash që janë zgjedhjet presidenciale, politika ulet përrafshi me të gjithë dhe me secilin…
Top Channel