
Policia franceze ka nisur një hetim për të zbuluar se si një stacion
televiziv arriti të transmetonte regjistrimin e bisedimeve mes vrasësit
islamik Mohamed Merah dhe policisë.
Dialogu, i regjistruar gjatë operacionit të forcave speciale në Tuluz ku Merah mbeti i vrarë, u transmetua nga kanali TF1 ditën e diel.
Të afërm të Merah, përmes përfaqësuesve të tyre ligjorë, u shprehën të irrituar për faktin se bisedimet u transmetuan.
Merah, 23 vjeç, vrau tre ushtarë francezë dhe katër hebrenj në sulme të ndryshme të kryera në muajin mars, që tronditën gjithë Francën.
Ai u qëllua për vdekje pas një operacioni blic që kulmoi pas 32 orë bisedimesh me policinë në një apartament në jug-perëndim të Tuluzës.
Ministri i Brendshëm francez, Manuel Valls dënoi vendimin e TF1 për të transmetuar pjesë të negociatave, duke thënë se ky veprim tregon mungesë respekti për të afërmit e viktimave.
Gjithashtu, ai shprehu keqardhjen e tij për faktin se transmetimi u bë në një kohë kur proçedurat gjyqësore lidhur me çështjen janë ende në vazhdim.
Top Channel