Rusia po kalon një ditë zije kombëtare për viktimat e përmbytjeve që përfshinë rajonin jugor të Krasnodarit, duke shkaktuar të paktën 171 viktima.
Presidenti Vladimir Putin ka urdhëruar një hetim për të verifikuar nëse njerëzit ishin paralajmëruar si duhet për katastrofën natyrore dhe një hetim penal po zhvillohet për neglizhencë të mundshme.
Autoritetet mohojnë një akuzë të tillë duke fajësuar egërsinë e përmbytjeve të fuqizuara nga hapja e dyerve të një rezervuari.
Dita e zisë dhe hetimi u hapën me kërkesë të presidentit Putin pasi ai vizitoi me helikopter zonat e prekura ditën e diel.
Kjo është katastrofa më e madhe që regjistrohet në Rusi që kur Putin, 59 vjeç, u rikthye për një mandat të tretë presidencial më herët gjatë vitit, pasi kishte kaluar një mandat si kryeministër.
Përmbytjet, më të këqijat në historinë e rajonit të Krasnodarit, e përfshinë zonën gjatë natës së të premtes, pas shirave të rrëmbyeshme që zgjasnin prej ditësh.
Rezulton se banorët ishin informuar pak ose aspak mbi kushtet e motit. Shirat arritën deri në 28 cm ujë gjatë natës, duke detyruar shumë banorë që të strehoheshin nëpër pemë ose në çatitë e shtëpive.
Pamje televizive treguan më vonë mijëra shtëpi pothuajse të zhytura në ujë me njerëzit që kishin hipur nëpër çati për t’i shpëtuar nivelit që sa vinte e ngrihej.
Top Channel