
Oligarku rus Oleg Deripaska do të paraqitet të hënën në Gjykatën e Lartë
të Londrës për një nga proçeset financiare më të mëdha në historinë e
Mbretërisë së Bashkuar.
Çështja ka të bëjë me një pjesë aksionesh me vlerë 1 miliard dollarë në kompaninë “Rusal”, që është dhe prodhuesja më e madhe e aluminit në botë.
Çështja është dërguar në gjykatë nga biznesmeni britanik Michael Cherney, që pretendon se ka qenë ortak në biznes me zotin Deripaska, gjë që pasaniku rus e mohon.
Zoti Cherney pretendon se Deripaska i detyrohet atij 13.2 për qind të aksioneve të “Rusal”, kuotë me vlerë mbi 1 miliard dollarë.
Deripaska u bë i njohur për publikun në vendin e tij pas priti Lordin Mandelson dhe kancelarin aktual britanik George Osborne në jahtin e tij në vitin 2008.
Zoti Cherney dhe Deripaska u takuan në vitin 1990 kur biznesmeni britanik thotë se vuri re inteligjencën e rusit dhe i besoi atij interesa të caktuara biznesi.
Biznesmeni britanik thotë se ata nënshkruan një dokument në vitin 2001 në Londër dhe arritën një marrëveshje verbale mbi pronësinë e aksioneve të “Rusal”.
Ndërkohë, bosi rus ka bërë të ditur se i ka paguar 250 milionë dollarë zotit Cherney, por thotë se kjo shumë ishte për të zgjidhur një tjetër çështje biznesi.
Sipas raportimeve të BBC, në gjyq ai do të përpiqet të provojë se ishte një viktimë e gjobvënies, që në gjuhën ruse njihet me termin “krysha”.
Top Channel