
Inflacioni ka rënë ndjeshëm në Kinë, duke u dhënë ligjvënësve më shumë
hapësirë për të nxitur rritjen ekonomike në një kohë kur në rang global
ajo sa vjen e tkurret.
Rritja e çmimeve për konsum ra në qershor në 2.2 për qind krahasuar me një vit më parë, ka bërë të ditur Zyra kineze e statistikave.
Shifra në fjalë është më e ulët se 3 për qind që ishte në maj dhe është gjithashtu nën objektivin e qeverisë që të ishte 4 për qind.
Kina ka ndërmarrë një sërë hapash për të nxitur rritjen në një kohë kur kriza ekonomike globale rëndon mbi kërkesën për mallrat e saj. Analistët thonë se ulja e çmimit të ushqimeve është efekti kryesor i rënies së inflacionit.
Banka qëndrore e Kinës ka shkurtuar normat e interesit dy herë që nga fillimi i qershorit, me periudha që i kanë çuar ato në 6 për qind.
Gjithashtu, ajo ka shkurtuar shumën e parave që bankat duhet të mbajnë rezervë, në përpjekje për të nxitur huadhëniet.
Analistët thonë se presin lëvizje të tjera të ngjashme nga ana e qeverisë për të stimuluar rritjen e konomike të superfuqisë aziatike.
“Një rënie e mëtejshme e çmimeve për konsum hap rrugën për politika të tjera lehtësuese, të cilat ne presim t’i ndërmarrim”, ka thënë Zhang Zhiwei nga Hong Kongu.
Top Channel