“Wikileaks” publikon 2,4 mln e-maile zyrtare siriane

05/07/2012 14:40

”Wikileaks” nisi të enjten publikimin e më shumë se 2,4 milionë emaileve të politikanëve sirianë, ministrave të kabinetit apo kompanive, të cilët datojnë që prej vitit 2006.

Faqja e drejtuar nga Julian Assange fitoi njohje ndërkombëtare në vitin 2010, kur nisi të publikonte dokumenta të klasifikuar të pirateruar nga komunikimi i Uashingtonit me ambasadat e tij nëpër të gjithë botën.

Emailet e publikuar janë në disa gjuhë të ndryshme, nga arabishtja dhe deri në rusisht. Mbetet e paqartë se si janë siguruar këto dokumenta nga ana e “Wikileaks”, por është konfirmuar se dokumentat janë përftuar nga Ministritë Siriane të Financave, Punëve Presidenciale, Informacionit dhe Punëve të Jashtme.

Sipas prezantimit të “Wikileaks”, këto emaile hedhin dritë mbi mënyrën e brendshme se si funksionon qeveria dhe ekonomia siriane, por në të njëjtën kohë zbulon edhe se si perëndimi dhe kompanitë e vendeve të zhvilluara luajnë një rol në destabilizmin aktual të vendit.

Themeluesi i faqes, australiani Assange, aktualisht është i kërkuar nga drejtësia suedeze për dy akuza përdhunimi, ndërsa ekziston mundësia që në të ardhmen edhe SHBA të ngrejë akuza spiunazhi kundër tij, të dënueshme deri me vdekje në bazë të ligjit amerikan.

Aktualisht në Britani, Assange ka sfiduar urdhërin e ekstradimit, duke u strehuar në ambasadën ekuadoriane, ku është në pritje të përgjigjes për kërkesën e azilit politik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA