Regjimi sirian armatos fëmijët

05/07/2012 00:00

Foto e publikuar nga agjensia e lajmeve AFP po bën xhiron e botës duke vërtetuar atë që bota i frikësohej: në Siri po armatosen fëmijët.

Një djalë i vogël mban në krah një kallashnikov dhe një varg fishekësh. Shihet krahu i një të rrituri, ndoshta e një kryengritësi, që mundohet ta qetësojë, ndërsa ai qan. Kjo foto e AFP-së që vjen nga Siria është bërë pranë fshatit Azarra, gjatë luftimeve në fund të muajit qershor dhe u transmetua në shumë televizione franceze.

Vlen më shumë se mijëra fjalë apo mijëra negociata ndërkombëtare. Tmerreve te konfliktit në Siri, vrasjes së fëmijëve, përdhunimeve dhe torturave u shtohet edhe fakti i fëmijëve-ushtarë që përdoren nga kryengritësit për t’i bërë ballë ushtrisë siriane.

Në fillim të muajit qershor, Radhika Kumarasvami, përfaqësuese e OKB-së “për të miturit dhe konfliktet e armatosur” foli për informacionet e mbledhura, por të paverifikuara. Por, përpara kësaj fotoje duket se çdo hije dyshimi shpërbëhet. Fëmijët-ushtarë nuk janë një drame e panjohur. E kemi parë në konfliktin në Afrikë. Kohët e fundit u kujtua ajo që bën gjenerali i Ugandës, Xhozef Koni.

Opinioni publik i kërkoi Shteteve të Bashkuara të ndërhynin. Por, në Siri kjo nuk po ndodh ende. Mediat ndërkombëtare përmendin traumën e rëndë që do të ndjekë tërë jetën ushtarët e mitur. Plagët mendore e shpirtërore nuk do të shërohen edhe nëse nuk do të ketë më luftë.

Në një zhvillim tjetër, kreu i misionit vëzhgues në Siri, gjenerali Robert Mud, kërkoi t’i jepej fund gjakderdhjes në Siri. Ai foli për përshkallëzimin e dhunës. Misioni i pezulloi aktivitetet në muajin qershor, pasi jeta e monitoruesve të OKB-së u kërcënua nga konflikti i armatosur.

Mandati 90-ditor i misionit përfundon më 20 Korrik. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Llavrov, gjatë vizitës në Gjermani, rrëzoi zërat se Rusia është e gatshme t’i ofrojë azil politik presidentit të Sirisë, Bashar Al Asad, një propozim gjerman që e gjen zanafillën më 1 Qershor gjatë takimit të presidentit Vladimir Putin me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Në konferencën për shtyp me homologun gjerman, Guido Vestervelle, Lavrov tha se dy përfaqësues të opozitës siriane do të vizitojnë Moskën javën e ardhshme, por ai nuk dha detaje të tjera.

Top Channel