Ish-qendërmbrojtësi brazilian i Bayernit, Breno, u dënua me tre vjet e nëntë muaj heqje lirie nga një gjykatë e Mynihut, pasi u shpall fajtor për dëmtim prone nëpërmjet zjarrvënies.
Pas shpalljes së vendimit, në orët e vona të së mërkurës, Breno u shoqërua menjëherë në burg dhe iu mohua e drejta e lirisë me kusht.
Në një akt çmendurie, pas një zënke familjare, Breno i vuri flakën vilës ku jetonte me qera në 20 shtator 2011, duke dëmtuar pronën dhe duke vendosur në rrezik jetën e familjarëve.
Pasi nuk shprehu shenja pendese në gjyq, gjykata vendosi t’i impononte pothuajse ndëshkimin më të ashpër të njohur nga ligji, ndonëse gjithsesi dënimi është më i lehtë se pesë vjet e gjashtë muaj burg të kërkuar nga prokuroria.
Avokati mbrojtës i 22-vjeçarit shpresoi se mund të fitonte një ulje dënimi deri në dy vjet burgim, çka në bazë të ligjit gjerman do ta lejonte brazilianin të qëndronte i lirë me kusht.
Burgosja i jep përfundimisht fund ëndrrës së qendërmbrojtësit për të kaluar në Serinë A, ku kishte arritur një marrëveshje paraprake me Lacion, me firmën që ishte në varësi të vendimit të gjykatës.
Nga ana e tij, drejtori teknik i klubit roman, Igli Tare, shprehu keqardhjen e thellë për moskonkretizimin e marrëveshjes, duke e cilësuar dënimin si të ekzagjeruar në shtypin italian.
Top Channel