FIFA, nëpërmjet Bordit Ndërkombëtar, më në fund ka autorizuar përdorimin e teknologjisë në futboll.
Organizmi më i madh drejtues i futbollit do të lejojë të përdoret teknologjia vetëm tek vija fatale e portës edhe pse në të ardhmen mund të përdoret edhe në aspekte të tjera të lojës.
Përdorimi i teknologjisë do të nisë me Botërorin e Klubeve të vitit 2012 në Tokio, ku përballen kampionët e të gjithë kontinenteve. Gjithsesi, sërish do të mbahen gjashtë arbitrat që veprojnë aktualisht gjatë lojës.
Dy do të jenë sistemet teknologjike të propozuara: Syri i Fajkoit (Hawk Eye) që bazohet në përdorimin e kamerave njësoj si në tenis e regbi dhe GoalRef që bazohet në përdorimin e një çipi brenda topit që tregon kur ky kalon vijën fatale.
Edhe pse do të përdoret teknologjia, Jerome Valcke, sekretari i përgjithshëm i IFAB, theksoi në një konferencë shtypi se vendimi përfundimtar do vazhdojë t’i mbetet arbitrit në mënyrë që figura e tij të mos zbehet.
Top Channel