Policia në kryeqytetin e Ukrainës, në Kiev, qëlloi me gaz lotsjellës për të shpërndarë një turmë prej mijëra protestuesish, të irrituar nga një ligj i ri, që përforcon statusin e gjuhës ruse në vend.
Përplasjet ndodhën jashtë ndërtesës në të cilën presidenti Viktor Yanukovych pritej të mbante një fjalim.
Projektligji, i hartuar nga vetë partia e presidentit autoritar, u miratua të martën në parlament pa asnjë debat në lidhje me nenet e tij të shumta.
Ish-kampioni i botës në peshat e rënda në boks, Vitali Klitschko, ishte midis aktivistëve të plagosur në këtë protestë.
Ministri i Brendshëm informoi se dhjetë policë të njësisë së zgjedhur anti-protestë u shtruan në spital me plagë të ndryshme. Sipas komunikatës zyrtare, autoritetet përdorën gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën, pasi policia u sulmia me shishe dhe sende të tjera të forta.
Nga ana e tij, Yanukovych vendosi të shtynte fjalimin e planifikuar për të martën, ndërsa përplasjet vazhdonin.
Në bazë të projektligjit të ri, rusishtja, e folur gjerësisht në lindje dhe në jug të Ukrainës, do të shndërrohet në gjuhë zyrtare në te gjitha krahinat ku flitet ne mase ose pjeserisht.
Ndonëse ukrainishtja mbetet gjuha zyrtare e shtetit, tashmë rusishtja mund të përdoret lirisht në gjykata, spitale, shkolla dhe institucione të tilla.
Sipas kritikëve, ky është një hap i dytë, pas lejimit të prezencës së një baze të madhe ushtarake ruse në vend në 2010-n, drejt shkatërrimit të sovranitetit të vendit dhe rikthimit sërisht në një satelit të Federatës Ruse.
Top Channel