Grupimet e ndryshme të opozitës siriane ranë dakord në një plan të përgjithshëm në lidhje me qëndrimin e tyre përballë regjimit autoritar të Bashar al-Assad, në një takim të shumëpritur në Kajro, që shërbeu njëkohësisht për të nxjerrë në dritë mosdakordësitë e thella midis përfaqësuesve të opozitës.
Delegatët arritën të binin dakord se cili është përcaktimi i tyre për një periudhë tranzicioni dhe për hapat që do të ndërmarrin nëse do të arrijnë të largojnë nga pushteti presidentin al-Assad.
Megjithata, ata nuk arritën të miratonin formimin e një trupi të unifikuar për të përfaqësuar opozitën siriane në negocimet me fuqitë botërore.
Në një pikë të bisedimeve, situata u tensionua deri në atë pikë sa i dërguari i delegacionit kurd doli nga salla.
Ndërkohë, në Siri, të paktën shtatë persona mbetën të vrarë ditën e mërkurë. Një tjetër organizatë aktiviste publikoi shifrën e 20 të vrarëve në të gjithë vendin.
Sipas raportimeve të Organiatës së Kombeve të Bashkuara, që prej fillimit të konfliktit në mars 2011, mbi 16 mijë persona kanë humbur jetën në luftën civile në Siri, por të dhëna të organizatave të tjera e ngrenë këtë bilanc në një shifër deri dy herë më të lartë.
Top Channel