Revista ‘France Football’ kërkon që Topi i Artë FIFA t’i jepet portierit dhe kapitenit të Spanjës, Iker Casillas.
Mediumi që krijoi çmimin më të madh individual në sportin e futbollit në vitin e largët 1956 (çmim që tashmë është bashkuar me FIFA World Player) jep arsyet se pse Casillas e meriton Topin e Artë.
Në një speciale mbi Spanjën, ‘France Football’ veçon rolin e madh që luajti portieri i Real Madrid që kur është bërë kapiten i kombëtares.
“Për qëndrimin e tij të gjatë në majën e futbollit botëror, për qetësinë, ndikimin dhe mjeshtërinë e tij, Casillas meriton Topin e Artë”, shkruhet në revistën prestigjioze.
Në reportazhin e gjatë kujtohet se Casillas pësoi vetëm 1 gol gjatë EURO 2012 (në ndeshjen e parë të Italisë në grupe, shënoi Di Natale).
“Iker Casillas është fitues i kampionatit spanjoll dhe EURO 2012 gjatë këtij sezoni, pa përmendur sukseset me Spanjën në vitet 2008 dhe 2010”, shton ‘France Football’.
Fituesi i Topit të Artë 2012 do të mësohet në janar të vitit të ardhshëm. Juria do të jetë e përbërë nga trajnerët e kombëtareve dhe kapitenët duke i shtuar disa gazetarë.
Luis Suarez është i vetmi futbollist spanjoll që ka fituar një Top të Artë (1960).
Top Channel