Federata Franceze e Futbollit (FFF) vazhdon të kërkojë një zëvendësues për Laurent Blanc në pankinën e kombëtares. Kandidati kryesor deri dje ishte Didier Deschamps, por ish-tekniku i Marseille e ka refuzuar këtë post.
Por, duket se Deschamps nuk ka qenë i vetmi që ka dhënë përgjigje negative ndaj ofertës për tu bërë tekniku i Francës.
Sipas ‘L’Equipe’, është marrë parasysh edhe Arsene Wenger, trajneri i Arsenalit, i cili më parë kishte theksuar se mund të mbante të dy postet njëkohësisht, por edhe ai në fund nuk ka pranuar të drejtojë “Gjelat”.
Tashmë, emrat që lakohen më shumë në shtypin francez si pasardhës të Blanc janë Paul Le Guen dhe Francis Smerecki. Ditën e sotme FFF do të mblidhet dhe mbase mund të zyrtarizohet trajneri i ri i Francës.
Nën drejtimin e Blanc, Franca arriti çerekfinalet e EURO 2012 ku u eliminua nga Spanja pas humbjes me rezultatin 2-0.
Top Channel