Të paktën 25 persona mbetën të vrarë dhe 40 u plagosën, kur një kamion shpërtheu në një treg në qytetin iraken të Divanijës.
Ky ishte atentati më i përgjakshëm, në një seri shpërthimesh që tronditën vendin gjatë ditës së martë.
Në qytetin qëndror të Karbelas, katër persona u vranë dhe 30 u plagosën nga dy autobomba që vunë në shënjestër komunitetin shiit. Shpërthimet e tjera ndodhën në kryeqytetin Bagdad dhe në qytetin e Tijit.
Në javët e fundit, Iraku është përfshirë në një spirale të rrezikshme dhune, e cila ka shkaktuar qindra të vdekur dhe ka rigjallëruar tensionet fetare në vend.
Ndryshe nga fqinjët e tij, me shumicë shiite (Irani) apo sunite (shumica e vendeve arabe), Iraku është i ndarë midis dy besimeve, ndërsa në veri të vendit jeton një pakicë e madhe kurde.
Largimi i trupave amerikane në dhjetor 2011, krijoi një vakum pushteti dhe probleme të rëndësishme sigurie, ndërsa autoritetet vendase duket të pafuqishme aktualisht për të rikthyer rendin në vend.
Shpërthimet e të martës ndodhën ndërsa shiitët janë duke festuar festivalin e Shabanijës, një datë e rëndësishme në kalendarin shiit, pasi feston lindjen e imamit më të rëndësishëm në këtë besim.
Top Channel