Faleminderit, Faleminderit, Faleminderit!
Kështu e ka titulluar shpalljen e Spanjës kampione të Europës, sportivja ‘Marca’. 3 herë faleminderit sinjifikojnë 3 titujt e marrë nga iberikët në 3 kompeticionet ndërkombëtare radhazi, 2 europiane dhe 1 botëror, një rekord i ri ky që mban firmën e brezit të artë spanjoll, me Casillasin, Iniestën, Ksavin, dhe sigurisht me arkitekt Del Bosken.
‘Tre kampionët’ është titulli i sportives tjetër spanjolle ‘AS’, e cila thekson faktin se këtë triumf nuk e ka arritur më parë asnjë kombëtare tjetër. Të gjitha gazetat iberike, falenderojnë këta lojtarë që për 4 vjet më radhë i kanë lumturuat më fitoret e tyre dhe sidomos me tre tituj të rëndësishëm.
“Kampionë të Europës” është titulli i të përditshmes ‘El Pais’, e cila thekson se vetëm Gjermania e 1972 ishte gati duke fituar 3 titujt radhazi, por në 1976 nuk arriti të fitojë për të dytën herë radhazi europianin.
Të dëshpëruara janë mediat italiane të cilat nuk e kanë kuptuar sesi u mundën në atë mënyrë dhe me atë rezultat aq të thellë.
“Spanja hyn në histori, gjithsesi faleminderit Itali”, është titulli i ‘La Repubblica’. “Spanja i ka dhënë mësime futbolli Italisë” është komenti i La Stampës e cila humbjen e përfaqësueses së Prandellit e ka titulluar kështu: “4-0, Italia e trullosur, Spanja hyn në histori”.
Në faqen e parë të ‘Corriere Dello Sport’ shihen futbollistët e Italisë të përkulur dhe të dëshpëruar, ndërkohë që titulli është: “Fundi i një ëndrre”.
Top Channel