Egjipt, presidenti u kundërvihet ushtarakëve

02/07/2012 16:05

Ajo që i trembeshin udhëheqësit ushtarakë duket se po ndodh në Egjipt. Presidenti i sapozgjedhur, Mohamed Mursi, pak ditë nga betimi në krye të shtetit egjiptian, po kërkon me të gjitha mënyrat të rikthejë legjitimitetin e parlamentit të dalë nga zgjedhjet e fundit legjislative.

Parlamenti u shpërnda me një urdhër të Këshillit Suprem Ushtarak pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila e quajti ligjin elektoral për pjesën e zgjedhjes së deputetëve, si anti-kushtetues.

Shpërndarja e parlamentit nga Këshilli Ushtarak pasoi protesta të fuqishme në vend nga Vëllazëria Muslimane dhe partitë e tjera të cilat kishin fituar mandate të konsiderueshme në parlamentin e parë të dalë nga zgjedhje të lira në vend.

Presionit të protestave, ushtarakët iu përgjigjën duke deklaruar se do të transferonin të gjithë pushtetin, ekzekutiv dhe legjislativ në duart e presidentit të ri të vendit në fund të muajit qershor apo në ditët e para të korrikut.

Lëvizja e fundit e presidentit Morsi konsiderohet si një përpjekje për të “hequr qafe” Këshillin Suprem Ushtarak. Rikthimi legjitim i parlamentit, shkruan CNN, do të nxirrte jashtë loje ushtarakët.

Përvec ‘luftës’ në këtë front, presidenti egjiptian urdhëroi edhe ngritjen e një komisioni që do të verifikojë dhe mundësojë lirimin e të gjithë të burgosurve politikë në vend.

Mohamet Morsi fitoi në zgjedhjet e 16 dhe 17 qershorit ndaj rivalit ish-kryeministër dhe ish-gjeneral në kohën e Mubarak, Ahmed Shafiq. Ai u betua në detyrën e re të shtunën më 30 qershor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA