Angela Merkel e mbrojti marrëveshjen e ndihmës për vendet e eurozonës të zhytur në borxhe, duke e cilësuar një rezultat produktiv për të gjithë.
“Mendoj se ishte një kompromis i mirë”, tha kancelarja gjermane pas bisedimeve të zgjatura që e vendosen përballë një presioni të madh nga ana e Italisë dhe Spanjës.
Deri në orët e vona të natës diskutuan krerët e shteteve dhe të qeverive të BE-së për gjetjen e kursit që do të nxjerrë Europën nga kriza. Edhe pse u morën disa vendime të rëndësishme, negociatat ishin shumë të vështira.
“Mendoj se në fund, u arrit t`i bëhej një shtesë e rëndësishme paktit tonë fiskal, sidomos përsa i takon rritjes, e cila është diskutuar gjatë në Gjermani. Së dyti, vulosëm një marrëveshje afat-shkurtër për stabilizimin e tregjeve financiare përmes një organizmi të ri mbikqyrës, i cili i lejon BQE-së t`i mbajë bankat nën vëzhgim, e përpos kësaj përcaktuam procesin dhe metoden e punës për zhvillimin afat-gjatë të unionit ekonomik dhe monetar, që padyshim, ka rëndësi të jashtëzakonshme”, tha Merkel.
Më herët, kryeministri italian Mario Monti dhe homologu i tij spanjoll Mariano Rajoy refuzuan të firmosnin paketën 120 miliardë euroshe të rritjes nëse Gjermania nuk aprovonte masa afat-shkurtra për të lehtësuar koston e kredisë së tyre.
Përplasja mes tre liderëve nxorri edhe një herë në pah tensionet ndërmjet vendeve veriore kredidhënëse dhe shteteve të jugut me borxhe të mëdha, teksa blloku i 17 vendeve përdoruese të euros ka hyrë në vitin e tretë të krizës së borxhit sovran.
Sipas Merkelit, pakti i huadhenies ofron mbrojtje te mjaftueshme per parate e taksapagyesve qe perdoren ne fondet e dorezanive te BE-së.
Analistë e diplomatë e përshkruan rezultatin e samitit si një humbje befasuese për Merkelin, që deri më tani i kishte mëshuar idesë se nuk do të ketë ndihmë të re pa kushte.
Megjithate, tek cështja eurobondeve shefja e qeverise gjermane nuk lëshoi pe dhe përsërit edhe një herë se nuk ka vend për negociata.
“Përsa i takon këtij raporti, kemi folur nga pozicione të ndryshme dhe mund t’iu them se pozicioni im mbetet i pandryshuar. Sic e bëra të qartë edhe dje, shteti federal gjerman ka ekzistuar për 63 vjet pa një lidhje përgjegjësish mes asaj cfarë huazon qeveria dhe shtetet federale”, tha Merkel.
Presidenti francez Francois Hollande u tregua dhe ai mjaft optimist për paktin e rritjes dhe ndikimin e shpejtë që do të ketë ai në ekonominë europiane.
“Instrumente të reja u diskutuan, projekte bonosh, masa të tjera për të cilat u ra dakord, rikapitalizimi i Bankës Europiane të Investimeve, mobilizimi i fondeve strukturore. Megjithatë them se nuk kemi pse thërrasim fitore. Në samit u arrit një kompromis, dhe zonja Merkel ashtu si gjithë të tjerët, e kërkoi marrëveshjen me dëshirën e mirë për të ndihmuar e konsoliduar zonën e euros”, tha Francois Hollande.
Në këtë mënyrë kryetarët e 17 shteteve të eurozonës pranuan të mbështesin vendet në vështirësi, që persa kohë u përmbahen objektivave të tyre buxhetore, mund të ndihmohen nga fondet e krizës, EFSF dhe ESM, me qëllim qetesimin e tregjeve.Ky instrument i ri do të jetë në dispozicion deri në verë.
Gjermania, fuqia më e madhe ekonomike e eurozonës, ngurron të pranojë vazhdimin e huadhënies për vendet me borxhe, dhe qëndrimin e mbështesin edhe Hollanda, Austria e Finlanda.
Top Channel