Një anije hapësinore kineze, e cila dërgoi në hapësirë për herë të parë një femër në një mision 13-ditor, u kthye me sukses në Tokë ditën e premte.
Kina iu bashkua SHBA-së, Kanadasë, Francës, Britanisë, Japonisë, Koresë së Jugut dhe Rusisë, si vendet që kanë dërguar më parë në orbitë austronaute femra.
Misioni i përqendruar në ndërtimin e një stacioni hapësinor kinez u propagandua fuqimisht në vend, ku për dy javë, ecuria e tij u shndërrua në kryelajmin e të gjithë edicioneve në vend.
Sipas parashikimeve, stacioni hapësinor kinez do të jetë i gatshëm brenda vitit 2020.
Misionet drejt hapësirës janë shndërruar në një përparësi për Pekinin zyrtar, që i konsideron ato veçanërisht të rëndësishëm për të demonstruar arritjet e vendit në fushën shkencore.
Kryeministri Wen Jiabao foli i entuziasmuar, ndërsa e përshkroi misionin si një “sukses të plotë”.
E panjohur deri disa ditë përpara misionit, austronautja Liu Yang është shndërruar në një prej figurave më popullore dhe të njohura në vendin e saj.
Aktualisht, Kina është dukshëm pas dy superfuqive SHBA dhe Rusi në arritjet e saj hapësinore, por Pekini cakton çdo vit fonde të mëdha në zhvillimin e projekteve në këtë fushë, duke mbyllur vit pas viti hendekun në ekspertizë dhe teknologji.
Top Channel