Dy spanjollë, anëtarë të grupit separatist bask “ETA”, u arrestuan në Londër ditën e premte.
Lajmi u bë i ditur nga një zëdhënës i “Scotland Yard”, policisë britanike. Spanja kishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar për Antonio Troitino (55-vjeç) dhe për 39-vjeçarin Ignacio Lerin.
Troitino ishte shpallur në kërkim që prej prillit 2011, kur një gjykatë spanjolle revokoi një vendim të mëparshëm që e linte të lirë nga burgu.
Ai u dënua për 22 vrasje në vitet 1980 për llogari të “ETA”-s, duke u dënuar me 2 700 vjet burg.
Megjithatë, 55-vjeçari u lirua pasi vuajti vetëm 24 vjet, pas një vendimi kontradiktor që apeli e rrëzoi, duke kërkuar rikthimin e tij në qeli.
Nga ana e tij, Lerin është i akuzuar për mashtrim. Për më shumë se katër dekada, “ETA” lëshoi një fushatë të përgjakshme për pavarësinë e shtatë rajoneve baske në veri të Spanjës.
Si rrjedhojë e kësaj fushate, me qindra persona kanë humbur jetën, por Madridi zyrtar dhe organizata e konsideruar terroriste nga Spanja, BE dhe SHBA, janë duke u përpjekur që të vënë një jetë një armëpushim delikat.
Në vitin 2011, “ETA” lajmëroi për shpërbërjen e saj, por nuk ka dorëzuar armët, duke bërë që Madridi të vazhdojë ta konsiderojë organizatën si aktive.
Top Channel