
Turqia konkretizon kërcënimet e saj ndaj Sirisë se nuk do të tolerojë më asnjë incident në kufi. E për të “mbajtur fjalën” forca të shumta dhe blinda ushtarakë të ushtrisë turke, të mbështetura nga ajri nga dhjetra helikopterë po vendosën në kufirin mes dy vendeve.
Të premten e kaluar një avion luftarak turk i tipit F-4 Phantom u rrëzua nga forcat anti-ajrore siriane në ujërat e Mesdheut. Damasku pretendon se avioni kishte shkelur hapësirën ajrore të tij, ndërkohë që Ankaraja deklaroi se avioni ishte qëlluar pa paralajmërim. Incidenti shkaktoi zemëratën e kryeministrit turk, Recep Taip Erdogan i cili në një deklaratë, dy ditë pas rrëzimit të avionit, tha se Turqia do të rishikojë politikat e saj të sigurisë kundrejt Sirisë.
“Siria mbetet rreziku ynë më i madh përsa kohë vijon kjo situatë. Ne nuk do të tolerojmë asnjë incident tjetër dhe forcat tona do të reagojnë ndaj çdo akti dhune”, deklaroi Erdogan.
CNN citon një zyrtar të lartë të ushtrisë turke i cili deklaron se lëvizjet e fundit të ushtrisë bëhen në përputhje me deklaratën e Erdogan.
Turqia strehon mbi 32 mijë të zhvendosur të luftës në Siri dhe është një ndër vendet e para që ka bërë thirrje për largimin e presidentit Assad nga pushteti. Marrëdhëniet mes dy vendeve, dikur aleate, u prishën me nisjen e protestave popullore.
Shpërthim në Ministrinë e Drejtësisë
Një ditë pasi sulmit mbi një stacion televiziv pro-qeveritar, një
shpërthim i fortë tronditi Ministrinë e Drejtësisë, në zemër të
kryeqytetit Damask.
Sipas Televizionit Shtetëror Sirian, shpërthimi ndodhi në parkimin përpara institucionit, duke dëmtuar rëndë godinën.
Të paktën tre persona mbetën të vrarë dhe mbi 20 makina u shkatërruan.
Imazhet televizive treguan shtëllunga tymi duke u ngritur nga ndërtesat pranë kompleksit qeveritar në Siri, ndërsa zjarrëfikëse të shumta shkuan për shuarjen e flakëve.
Ditën e mërkurë, shtatë persona mbetën të vrarë gjatë një sulmi në selinë e një televizioni pro-qeveritar, “al-Ikbarias”.
Damasku, një oaz relativisht i qetë gjatë luftës civile që ka pllakosur Sirinë, është shndërruar së fundmi gjithmonë e më shumë në një arenë dyluftimesh, çka nënvizon edhe një herë degradimin e situatës së sigurisë në vend, ku tashmë as kryeqyteti nuk ofron më siguri nga sulmet e kryengritësve.
Sulmet në kryeqytet vijnë në javën kur presidenti Bashar al-Assad pranoi për herë të parë zyrtarisht se vendi është duke u përballur me një luftë të mirëfillistë civile.
Siri, Rusia mbështet planin e Annan
Ndërsa situata e sigurisë në Siri vazhdon drejt degradimit, Rusia bëri të ditur se do të mbështesë propozimin e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan për një qeveri të unitetit kombëtar për të drejtuar ndryshimet politike në Siri.
Sipas BBC, diplomatët perëndimorë thonë se kabineti i propozuar mund të përfshijë pjesëtarë të opozitës dhe qeverisë, por me kusht që të kenë kredibilitet. Kjo gjë do të diskutohet në një mbledhje të grupit veprues të OKB-së të shtunën, në Gjenevë.
Mendohet se presidenti Bashar al-Assad nuk do të jetë pjesë e kësaj qeverie.
Ndërkohë që dhuna vazhdon në Siri. Të mërkurën persona të armatosur mësynë një stacionin televiziv pro-qeveritar dhe vranë shtatë persona.
Sipas agjensisë së lajmeve “Sana”, ata i vunë flakën redaksisë së lajmeve në televizionin”Ikbarija” që ndodhet në jug të Damaskut. Aty humben jetën gazetarë dhe roje të sigurisë.
Korrespondenti i BBC-së, Xhim Mjur që ndodhet në Liban raportoi se Televizioni Shtetëror Siriane ndali transmetimet për të shfaqur drejtëpërsëdrejti sulmin në ndërtesën e televizionit “Ikbaria” në qytetin Drusha, 200 km në jug të kryeqytetit sirian. Televizioni shtetëror shfaqi pamje të ndertesës së djegur dhe zjarrit që përhapej me shpejtësi.
Më herët, presidenti Al-Assad, në mbledhjen e qeverise foli për “luftë të vërtetë” në vend. Ai kritikoi vendet që kanë bërë thirrje për largimin e tij nga pushteti duke thene se “perëndimi gjithonë merr, po asnjëherë nuk jep dhe kjo është provuar tashmë”.
“Siç e thashë në fjalimin tim në Parlament, ne po jetojme një gjendje lufte të vërtetë nga të gjitha anet. Ndërsa jetojmë këtë situatë, e gjithë politika, palët dhe sektorët duhet të drejtohen për ta fituar këtë luftë”, tha al-Assad.
Top Channel