Kriza, Gjermania s’ndryshon qendrim

28/06/2012 17:50

Gjermania nuk heq e nuk shton asnjë presje qendrimit të saj sa i përket rrugës së daljes nga kriza financiare që ka përfshirë Eurozonën.

Ministri gjerman i Financave Volfgang Shauble hodhi poshtë propozimin e kryeministrit italian dhe të vendeve të tjera në krizë brenda Eurozonës për një menaxhim të përbashkët të borxhit.

“Gjermania nuk ka ndryshuar asgjë nga qendrimi i saj për rrugën si mund të dilet nga kjo situatë. Vetëm në fund të një procesi, kur të kemi siguruar një union fiskal të fortë e të vërtetë, vetëm atëherë mund të flitet për një menaxhim të përbashkët të borxhit. Tani për tani s’jemi në të tilla kushte”, deklaroi ministri Shauble për agjencinë italiane të lajmeve, Ansa.

Vende në vështirësi si Greqia dhe Spanja, por edhe Italia e Irlanda kanë propozuar hera-herës që borxhi kombëtar i tyre të shlyhet nga të gjitha vendet e Eurozonës. Por duke qenë vendi me ekonominë më të madhe në Europë, Gjermanisë do të binte barra të shlyente edhe borxhin, që për më tepër s’e kishte marrë ajo vetë.

Berlini u kërkon vendeve në vështirësi disiplinë financiare dhe reforma për të reduktuar borxhet që kanë. Për situatën në Eurozonë, në Bruksel, sot dhe nesër mbahet një samit i BE-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA