Themeluesit të “Wikileaks”, Julian Assange, iu paraqit zyrtarisht mandati i ekstradmit në Suedi gjatë së enjtes.
Aktualisht, australiani ndodhet brenda ambasadës së Ekuadorit, në pritje të miratimit apo refuzimit të strehimit politik, që ai ka kërkuar nga autoritet e vendit amerikanojugor.
Në mandatin që i është dërguar Assange, i kërkohej që ai të paraqitet vullnetarisht në një komisariat, në një kohë për të cilën do të njoftohet së shpejti.
Drejtësia suedeze e kërkon australianin 40-vjeçar në lidhje me dy akuza përdhunimi dhe pavarësisht pretendimeve të tij për pafajësinë dhe rrezikun e ekstradimit në SHBA nëse dërgohet në Suedi, një gjykatë britanike vendosi të pranojë kërkesën për ekstradim.
Si themelues i “Wikileaks”, një uebsajt që grumbulloi dhe publikoi qindra mijëra dokumenta sekretë të administratës amerikane, Assange rrezikon të ngarkohet me akuza spiunazhi nga SHBA, të dënueshme në bazë të ligjit amerikan deri me dënim me vdekje.
Aktualisht, ndaj Assange rëndon edhe një mandat arresti dhe policia britanike ka konfirmuar se ai do të prangoset në momentin e parë të largimit nga ambasada, pasi ka shkelur kushtet e lirimit me kusht, në pritje të ekstradimit.
Midis kushteve, përfshihej që ai të kalonte natën në banesën e tij nga ora 22:00 deri në 08:00, por që prej datës 20 qershor, Assange fle në ambientet e ambasadës ekuadoriane në Londër.
Top Channel