Thesari Europian

27/06/2012 00:30

Zyrtarët europianë shpalosën vizionin e tyre të së ardhmes, i cili i vesh me fuqi shtesë, përfshirë këtu krijimin e një thesari Europian që do të ketë pushtet mbi buxhetet kombëtare.

Kreu i Komisionit Europian Jose Manuel Barroso e përshkroi momentin “si përcaktues për integrimin europian”.

“Kriza është kërcënimi më i madh ndaj të gjithë atyre cfarë kemi arritur në 60 vjet ndërtimi të nismës europiane. Përballë këtij realiteti të zymtë, qëndrimi në vend nuk shtrohet fare si mundësi. Nevojitet një hap i madh përpara. Mund të mos jetë e lehtë. Do të kërkojë ambicje, vizion dhe vendosmëri për të vënë në jetë reforma me bazë të gjërë”, tha Jose Manuel Barroso, kryetar i Komisionit Europian.

Plani 10 vjecar është hartuar në mënyrë të tillë që të forcojë Eurozonën e të parandalojë kriza të tilla në të ardhmen, por kritikët mendojnë se as kjo iniciativë nuk i zgjidh problemet aktuale të borxhit në Eurozonë.

Tregjet ranë ndjeshëm këtë javë mes shqetësimeve se samiti i liderëve të BE-së të enjten dhe të premten, nuk do të arrijë të dalë me masa konkrete për frenimin e krizës aktuale, që ngërthyer tashmë pesë vende anëtare të zonës së euros.

Spanja po negocion kushtet e huasë 100 miliardë euroshe, qeveria e re greke kërkon zbutjen e kushteve të saj, ndërsa Qipro përgatitet dhe ajo të kërkojë dorëzani për bankat e veta, në telashe prej problemeve në Greqinë fqinje.

Guvernatori i Bankës së Anglisë, Sir Mervyn King, e sheh me shqetësim reagimin e zyrtarëve europianë. “Jam pessimist”, u shpreh ai gjatë një seance dëgjimore në Parlament. Më shqetëson sidomos fakti që këto dy vitet e fundit e kemi parë situatën e eurozonës të shkojë në përkeqësim dhe problemet sa vjen e thellohen”.

Dokumenti me titull: drejt një unioni të vërtetë ekonomik dhe monetar, u prezantua nga presidenti i Këshillit Europian Herman Van Rompuy, dhe është hartuar në bashkëpunim me kreun e Komisionit Europian, atë të eurogrupit dhe të Bankës Qëndrore Europiane. “Ky nuk është projekti përfundimtar”, sqaroi rompuy. Por presim të arrijmë mirëkuptimin e të gjithëve në samit”.

Parimi kryesor, për Barroson, është të shkrihen në një solidariteti dhe përgjegjësia. Propozimet në raport përfshijnë:

– Kufizimin e nivelit e borxhit individual që mund të marrin shtetet.

– Buxhetet e përvitshme kombëtare mund të bllokohen, nëse tregojnë se vendi ka gjasa të kapërcejë kufijtë e borxhit.

– Një zyrë thesari do të ngrihet për të kontrolluar buxhetin qëndror e për të mbikqyrur ata kombëtarë.

– Do të ketë një rregullator të vetëm Bankar Europian e një skemë të përbashkët garantimi të depozitave.

– Politika të përbashkëta mbi rregullat e punësimit e nivelet e tatimit.

– Vendimarrje e përbashkët me parlamentet kombëtare për t’i dhënë planit “legjitimitet demokratik”.

Një prej sfidave më të mëdha të propozimit të ri do të jetë pikërisht cështja e thesarit. Në të kaluarën, anëtarët e Eurozonës duhet t’i mbanin deficitet buxhetore nën një nivel të caktuar, ndërsa tani Thesari Europian do të ketë pushtetin t`u diktojë ndryshime, nëse i afrohen caqeve të rrezikut.

Më herët, kreu i Financave gjermane, Volfgang Shauble kërkoi që të ketë edhe një ministër Europian të Financave, me fuqinë e vetos mbi buxhetet kombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA