Qyteti kalifornian i Stoktonit pritet të shndërrohet në qytetin më të madh amerikan në histori që do të shpallë falimentimin në orët e ardhshme.
Kryebashkiakia Ann Johnston deklaroi përpara këshillit bashkiak se nuk mund të bëhet më asgjë për të shpëtuar financat e qytetit dhe se ajo ka marrë “vendimin më të vështirë dhe zemërthyes” të jetës së saj.
Si rrjedhojë, shpallja e falimentimit në bazë të ligjit amerikan eshte bere e pashmangshme.
Shtëpi e 290 mijë banorëve, 140 kilometra nga San Françisko, Stokton u godit rëndë nga kriza e tregut të pasurive të paluajtshme në SHBA në vitet 2008-09.
Shpallja e falimentimit do të lejojë qytetin të paguajë disa prej kreditorëve të tij, së bashku me disa prej shërbimeve të domosdoshme, si policia dhe departamenti i zjarrëfikëseve.
Përpara hedhjes së këtij hapi nga administrate lokale, u vendos një rritje drastike taksash për banorët, shkurtimi i çerekut të punonjësve të policisë, i pagave për mjekët dhe u largua nga puna një e treta e personelit zjarrëfikës.
Aktualisht, Stokton qëndron midis qyteteve me kriminalitetin më të lartë në SHBA, ndërsa papunësia prej 15% është dy herë më e lartë se mesatarja kombëtare.
I zgjedhur si qyteti më i mjerueshëm amerikan në vitin 2010, Stokton është një prej qyteteve të mesme në gjendje të vështirë financiare. Shtëpi e 70 mijë banorëve, gjatë javës u lajmerua se edhe Kamden në Nju Xhersi po shkon drejt falimentimit.
Top Channel