Presidenti i Qipros deklaroi se vendi i tij nuk është në shitje, pas mbajtjes së bisedimeve në Nikosia, në lidhje me kërkesën e ndihmës që vendi ka kërkuar prej Bashkimit Europian.
I pyetur nga një reporter, Demetris Christofias, theksoi se “qipriotët janë njerëz me dinjitet dhe dëshiroj të mos më sfidoni me pyetje të tilla”.
Ministri i Financave, Vassos Shiarly, u shpreh se vendi ishullor ka nevojë për 10 miliardë euro për të shpëtuar sistemin e tij bankar nga kolapsi.
Bisedimet formale me Brukselin për kredinë duhet ende të fillojnë.
Republika e Qipros, ekonomia e tretë më e vogël në Bashkimin Europian, informoi autoritetet ditën e hënë se kishte nevojë për asistencë financiare.
Sistemi bankar i Qipros është i lidhur ngushtë me atë grek dhe është goditur rëndë nga kriza që ka pllakosur vendin helen.
Aktualisht, vendi me 1,1 milionë banorë ka marrë hua 2,5 miliardë euro nga Rusia, partneri kryesor i biznesit për ishullin. Nga ana e saj, banka më e madhe në vend, Banka e Qipros, deklaroi se ka nevojë për 500 milionë euro për të paguar detyrimet e saj dhe për të vazhduar funksionimin normal pas datës 30 qershor.
Top Channel