Japoni, shtetëzohet impianti i Fukushimës

27/06/2012 15:50

Aksionerët e reaktorit bërthamor të Fukushimës, i drejtuar nga kompania “Tokyo Electric Power Company” (TEPCO), pranuan ofertën e qeverisë për shtetëzimin e impiantit.

Autoritetet do të financojnë tashmë rreth një trilion jen ose 12,6 miliardë dollarë, për të ngritur struktra të mëtejshme mbrojtëse nga rrezatimet dhe për të penguar shkatërrimin e plotë të disa prej godinave të rrezikuara, pas dëmtimit të strukturave të tyre në tërmetin famëkeq të marsit 2011.

Shtetëzimi u kërkua prej vetë TEPCO-s, që kishte paguar nga ana e saj mbi 20 miliardë dollarë që prej tërmetit, për të parandaluar përhapjen e rrezatimeve dhe për të përballuar me sukses krizën bërthamore të krijuar në impiant.

Ndërsa vendimi i shtetëzimit u bë publik, një turmë prej disa mijëra protestuesish pushtuan rrugët e Tokios, duke kërkuar mbylljen përfundimtare të impiantit dhe ndryshimin e politikës energjitike të Japonisë, një prej vendeve më të varur në botë nga energjia bërthamore.

Pavarësisht shtetëzimit, reaktorët do të vazhdojnë të mbeten në drejtimin e TEPCO-s, që nuk ka vendosur ende nëse do të punojë në të ardhmen për të rikthyer centralin në gjendje pune.

Sipas specialistëve ndërkombëtare, është diçka e rrallë në kulturën e shoqërisë japoneze që turma njerëzish të bashkohen për të protestuar për një kauzë të caktuar, por kërkesat anti-bërthamore kanë gjetur një përkrahje të fuqishme në popull, duke bërë që demonstratat të shndërrohen thuajse në diçka të zakonshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA