Tre grupet më të mëdha militante islamike në Afrikë janë duke u përpjekur që të koordinojnë veprimet e tyre, paralajmëruan burime ushtarake në SHBA.
Gjenerali Carter Ham u shpreh se Organizata e Magrebit Islamik është duke bashkëpunuar aktualisht dhe duke furnizuar me eksplozivë “Boko Haram”-in në Nigeri.
Duke folur nga Uashingtoni, ai tha se lëvizja separatiste dhe paqëndrueshmëria politike në Mali e ka shndërruar vendin në një “parajsë të sigurt” për OMI-në.
Megjithatë, sipas Ham, është duke u punuar që këto dy organizata, të cilat e kanë më të lehtë të komunikojnë për shkak të zonave kufitare ku veprojnë, të bashkohen me al-Shababin në Somali, që mbetet lëvizja kryesore dhe më shqetësuese aktualisht në “Kontinentin e Zi”.
”Lidhjet midis OMI-së dhe “Boko Haram” tashmë janë të qarta dhe shqetësuese. Është e qartë që të dy organizatat po ndajnë fondet dhe po bashkëpunojnë në stërvitje e ndërtimin e eksplozivëve, duke rritur efikasitetin e secilës. Mundësia e formimit të një treshe terroriste me bashkimin me al-Shabab përbën një mundësi të frikshme për të gjithë planetin”, u shpreh Ham.
Duke përdorur një krahasim, gjenerali vlerësoi se nëse bashkimi do të ndodhë, SHBA dhe partnerët e saj do të përballeshin me rrezikun e një “super Al-Kaede” të re.
Aktualisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar një trupë prej 100 ushtarësh elitë për gjurmimin dhe eliminimin e organizatës rebele të famëkeqit Joseph Kony, në Uganda, por sipas gjeneralit, një numër i tillë ushtarësh është shumë i kufizuar për të përbërë një rrezik konkret për Kony-n.
Shtetet ku organizatat terroriste veprojnë aktualisht, kryesisht Nigeria, Mali, Mauritania, Çadi, Nigeri, Algjeria dhe Somalia vuajnë nga mungesa kronike e fondeve dhe kapaciteteve për të luftuar terrorizmin, ndërsa ende nuk ka një plan veprimi ndërkombëtar për t’u përballur me fenomenin.
Top Channel