Egjipt, humbësi i zgjedhjeve largohet nga vendi

26/06/2012 15:30

Humbësi i zgjedhjeve presidenciale në Egjipt u largua të martën nga vendi për në Emiratet e Bashkuara Arabe, konfirmoi avokati i tij dhe një zyrtar i aeroportit të Kajros.

Sipas burimeve, ish-funksionari i regjimit të Mubarak, humbës përballë kandidatit të Vëllazërisë Muslimane, Mohammed Mursi, është larguar për një periudhë të pacaktuar nga Egjipti.

Megjithatë, avokati i tij u shpreh se Shafiq nuk është duke u zhvendosur përfundimisht nga Egjipti.

Disa çështje korrupsioni nisën të përfliteshin ndaj Shafiq në muajin prill, por prokurorët nuk kanë nisur asnjë çështje ndaj kandidatit presidencial, i cili ishte njëkohësisht edhe kryeministri i fundit i regjimit 32-vjeçar të autoritarit Mubarak.

Në fundjavë, Mursi u shpall zyrtarisht fitues i zgjedhjeve dhe nisi punën për formimin e qeverisë së re të vendit, e para e zgjedhur në mënyrë demokratike prej disa dekadash.

Mbetet për të parë me interes ekuilibri i ri që do të gjejë vendi midis qeverisë civile dhe forcave ushtarake, që kanë një ndikim të gjerë në jetën politike në vend dhe në bazë të kushtetutës, mund të kufizojnë apo rrëzojnë qeverinë e ligjshme.

Që prej rrëzimit të Mubarak në shkurt 2011, për pothuajse një vit e gjysmë, Egjipti u drejtua nga Këshilli i Lartë Ushtarak.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA