Në sallën e mbushur me delegatë, Presidentja e Brazilit Dilma Rusef shpalli mbylljen e samitit Rio+20, ku mori pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, megjithatë shumë janë të zhgënjyer me rezultatin e Samitit të Tokës.
“Rio+20 na dha një platformë të fortë për të zhvilluar dhe na jep mjetet për të arritur këtë. Beteja nis tani. Unë mbështetem tek udhëheqja juaj dhe angazhimi juaj”, tha në fjalën e tij Sekretari i OKB-së, Ban ki Mun.
“Një hap historik në drejtim të një bote që është më e ndershme, e barabartë dhe e begatë, kësisoj varfëria mund të çrrënjoset dhe mjedisi të mbrohet. Brazili është krenar që organizoi dhe drejtoi konferencën më demokratike dhe me më shumë pjesëmarrje, ku ne i dhamë hapësire disa këndvështrimeve dhe propozimeve”, tha presidentja braziliane, Dilma Rusef.
Grupet e ambientalistëve e cilësuan konferencën “një dështim të lidershipit”. Ata u shprehën të zhgënjyer nga konkluzionet e dokumentit që e përcakton ekonominë e gjelbër thjesht si një prej rrugëve të mundshme për të ruajtur zhvillimin. Disa protesta e shoqëruan konferencën, duke nisur nga simbolika e luftës së gjigandëve të naftës deri tek karikaturat e udhëheqësve botërorë.
Thuajse 100 krerë shtetesh dhe qeverish u takuan përgjatë tre ditëve, për të përcaktuar qëllimet për një zhvillim të qendrueshëm, nismë e OKB-së që synon rritjen ekonomike, mjedisin dhe përfshirjen sociale. Por mungesa e një konsensusi për këto qëllime solli një marrëveshje për të cilën edhe firmëtarët thanë se i mungojnë angazhimet, specifikat dhe objektivat e matshëm.
Samiti i njohur si Rio+20 nuk pritej të gjeneronte marrëveshjet e rëndësishme të nënshkruara në 1992, në samitin e Rios, ku përfshihej traktati për biodiversitetin dhe paktet që cuan në krijimin e Protokollit të Kiotos për emëtimin e gazeve serrë.
Top Channel