Pas vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor për verifikim të të gjitha firmave të qytetarëve shqiptarë në Laboratorin e Kriminalistikes të Institutit Shkencor të Policise, kanë reaguar ambientalistët.
Të vendosur para portës së Komisionit Qendror Zgjedhor ata kanë sqaruar se kërkesa për referendum mbi ndalimin e importit të mbetjeve është depozituar në 13 mars dhe afati përfundimtar sipas ligjit është data 11 qershor.
“Dorëzimi nga grupi nismëtar i kërkesës për referendum dhe i firmave është bërë në këtë institucion më 13 mars të vitit 2012 me numër protokolli 6531/3, gjë që është lehtësisht e verifikueshme për çdo qytetar apo institucion të interesuar. Rrjedhimisht, afati prej 90 ditësh që KQZ ka në dispozicion sipas nenit 128 të ligjit 9087 datë 19/06/2003 ka përfunduar para që më datën 11 qershor 2012”, tha ambientalisti, Lavdosh Faruni.
Sipas grupit të ambientalistëve të cilët kanë mbledhur 62 mijë firma, është qesharak pretendimi i KQZ-së se 70 përqind e firmave janë të falsifikuara apo se 43 mijë karta janë vjedhur.
“Garancia e vërtetësisë së vullnetit të qytetarëve për referendum janë fotokopjet e kartave të identitetit të vëna si kusht nga vetë KQZ të cilat janë dorëzuar me vullnet të lirë nga qytetarët. Me akuzat e saj qesharake se 70 përqind e firmave janë të falsifikuara KQZ na akuzon se kemi vjedhur rreth 43 mijë karta qytetarëve të këtij vendi dhe kemi vjedhur pra identitetin e tyre pa dijeninë e tyre. Ky pretendim i KQZ-së është totalisht qesharak dhe dëmton besueshmërinë e këtij institucioni. KQZ duhet të kuptojë se funksioni i saj kushtetues është të mundësojë shprehjen e vullnetit popullor dhe jo bllokimin e tij nëpërmjet laboratorëve të kriminalistikës të institucioneve të dhunës”, thonë ambientalistët.
Grupi i ambientalistëve kundër importit të mbetjeve ka kërkuar me forcë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të veprojë si institucion zgjedhor në përputhje me pozicionin kushtetues dhe jo si një organ i akuzës.
Top Channel