Ekuadori thërriti në vendlindje ambasadoren e tij në Londër për t’u konsultuar në lidhje me kërkesën për azil të themeluesit të Wikileaks, Julian Assange.
“Thërrasim në vendlindje ambasadoren tonë në Londër për t’u konsultuar në lidhje me çështjen në fjalë. Konsultimet janë të nevojshme pasi bëhet fjalë për një çështje tejet të ndjeshme dhe serioze”, deklaroi presidenti i Ekuadorit, Rafael Correa.
Australiani aktualisht ndodhet i strehuar në godinën e ambasadës ekuadoriane në Angli në përpjekje për t’i shpëtuar ekstradimit në Suedi ku do t’i duhet të përballet me dy akuzat për ngacmim seksual dhe tentativë përdhunimi.
Në intervistën e parë që kur hyri në ambasadën ekuadoriane, Assange tha se nuk ka garanci që kërkesa e tij për azil do të miratohet. Më herët presidenti ekuadorian tha se kërkesa e tij po shqyrtohet sipas procedurave të zakonshme në të tilla raste.
Vetë australiani tha se i druhet ekstradimit në Suedi pasi prej andej mund të ekstradohet drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku e presin akuza edhe më të rënda, sic është ajo e spiunazhit dhe e përvetësimit të paligjshëm të materialeve sekrete amerikane. Këto akuza cilësohen si vepra tepër të rënda nga ligjet amerikane, aq sa parashikojnë edhe dënimin me vdekje.
Top Channel