
" /> ">
“Monedha e përbashket nuk ka kthim prapa”. Kryeministri italian, Mario Monti priti në Vilën Madama në Romë, kancelaren gjermane, Angela Merkel, presidentin francez, Francois Hollande dhe kryeministrin spanjoll Mariano Rajoi.
Udhëheqësit e katër vendeve më të mëdha të Eurozonës ranë dakort në parim për masat që do të nxisin rritjen ekonomike, e barabartë kjo me 1 përqind të produktit të Eurozonës si dhe për një paketë të rritjes ekonomike prej 130 miliardë euro. Monti, Merkel,Hollande dhe Rajoi ishin të një mendjeje për më shumë integrim, përfshirë unionin bankar dhe taksën e transaksionit financiar e cila njihet si taksa Tobin, të cilat do të paraqiten në samitin e BE-se që do të zhvillohet javën e ardhshme.
Rritja ekonomike nuk mund të ketë një bazë solide nëse nuk mbështetet mbi disiplinën e bilancit, tha kryeministri italian. Kjo e fundit nuk është e qendrueshme në afatgjatë, nëse nuk janë kushtet e mjaftueshme të rritjes dhe zhvillimit të punësimit.
Mario Monti përsëriti: “Euro është këtu për të qendruar”.Presidenti francez Francois Hollande dhe kryeministri spanjoll Mariano Rajoi, së bashku i janë referuar “unionit bankar” për të dalë nga kriza. Sipas burimeve franceze, për këtë cështje janë shënuar hapa të rëndësishme përpara.
“Ku ka solidaritet duhet edhe kontroll, tha kancelarja gjermane Angela Merkel. Europa ka patur një pakt stabiliteti, të cilin nuk e ka respektuar”.
Kryeministri italian cilësoi si “thelbësore respektimin e rregullave në ndërtimin europian. “Mjafton të kujtojmë cfarë ndodhi në vitin 2003, kur këto rregulla i shkelën Gjermania dhe Franca, të ndihmuara nga Italia. Na u deshën 10 vjet për të ringritur besimin, që nuk u shkel nga grekët dhe portugezët, por nga vendet kryesore të Euros”.
Top Channel