Kriza, bien të ardhurat

21/06/2012 00:00

Financat e qeverisë u përkeqësuan fort në maj, për shkak të rënies së të
ardhurave nga taksat. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave
tregojnë se muajin e kaluar të ardhurat e buxhetit ishin 27.5 milionë
dollarë më pak se plani, që është dhe defiçiti më i madh i krijuar gjatë
këtij viti.

Shifrat tregojnë se rënia ka ardhur e gjitha nga taksat që mbledhin tatimet dhe doganat, duke parlajmëruar se pas një fillim viti të vështirë ekonomia mund të ketë ngadalësuar edhe më shumë ritmet. Si pesëmujor të ardhurat e buxhetit janë rreth 88 milionë dollarë më të ulëta se plani, duke e bërë të vështirë financimin e shpenzimeve të qeverisë dhe mbajtjen nën kontroll defiçitin buxhetor.

Në buxhetin e këtij vitit, niveli ligjor i defiçitit është përcaktuar rreth 41 miliardë lekë ose 3% e prodhimit kombëtar. Qeveria ka deklaruar se do ta ruajë me çdo kusht këtë nivel për të mos rrëzikuar stabilitetin financiar të vendit dhe kufirin e borxhit publik.  

Por kjo duket se nuk do të jetë e lehtë. Vetëm në 5 muajt e parë shifra e defiçitit ka arritur në rreth 20 miliardë lekë ose gati sa gjysma e kufirit vjetor.

Tashmë buxheti fillestar i qeverisë ka rënë dhe pritet që shumë shpejt, ashtu sic edhe e ka pranuar publikisht, ministria e financave të paraqesë draftin e ri, të shkurtuar. Por përtej rënies së të ardhurave, buxhetit rëndohen edhe nga ngadalësimi i rritjes ekonomike, e cila me gjasa do të jetë më e ulët nga parashikimi optimist i qeverisë prej 4.3 për qind. Rënia e rritjes ekonomike poshtë këtij niveli i ndryshon të gjitha llogaritë e buxhetit, kryesisht ato që lidhen me deficitin dhe borxhin publik, çka mund të imponojë shkurtime më të mëdha tek shpenzimet, ku zëri që goditet më shumë janë gjithmonë investimet.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta