Gjyqi Breivik, prokuroria: Është i çmendur

21/06/2012 16:00

Prokuroria në Norvegji kërkoi në fazën përmbyllëse të gjyqit ndaj vrasësit Anders Behring Breivik shpalljen e tij të paaftë mendërisht.

Prokurori Svein Holden tha se ekzistojnë dyshime të forta në lidhje me aftësitë mendore të Breivik, prandaj ai duhet të kurohet në një qendër të shëndetit mendor dhe jo të dërgohet në burg.

Pritet që gjykata në Oslo të shpallë vendimin e saj në muajin korrik ose gusht.

Breivik ka pranuar përgjegjësinë e sulmit me bombë në Oslo dhe atë me armë në Utoja, ku 77 persona mbetën të vrarë dhe 242 të plagosur, por refuzon të pranojë se këto veprime përbëjnë krim.

Për shkak të përplasjes së mjekëve të ndryshëm rreth gjendjes psikologjike të Breivik në fillimin e procesit, i është dhënë e drejta gjykatës që të shprehet në fund të gjykimit nëse 33-vjeçari me bindje të ekstremit të djathtë është mendërisht i aftë.

Më parë gjatë majit, Breivik u shpreh përpara trupit gjykues se është i gatshëm të pranojë vendimin e autoriteteve vetëm nëse shpallet i aftë.

Autori i krimit më të shëmtuar në historinë moderne të Norvegjisë në kohë paqeje e konsideron gjestin e tij si një akt të lartë patriotik, i cili ka sy synim të shpëtojë Norvegjinë nga rreziku i islamizmit dhe humbjes së identitetit përballë multikulturalizmit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA