Ushtria Turke realizoi një seri sulmesh ndaj shënjestrave kurde në thellësinë e territorit iraken, konfirmuan burime zyrtare pasditen e së mërkurës.
Avionët luftarakë turq goditën me “efikasitet” disa shënjestra të Partisë së Punëtorëve Kurdë, raportohej në faqen e forcave të armatosura.
Goditja e së mërkurës vjen një ditë pasi më shumë se 30 persona mbetën të vrarë në një aksion në juglindje të Turqisë.
Tetë ushtarë turq mbetën të vrarë në sulmin e PPK-së, ndërsa kundërpërgjigja e ushtrisë neutralizoi 26 rebelë.
Disa mijëra eksponentë të PKK-së besohet se fshihen në Irak, në zonat e populluara nga kurdët në very të vendit.
Në të shkuarën, Bagdadi zyrtar ka paraqitur disa ankesa zyrtare ndaj shkeljes së sovranitetit dhe hapësirës territoriale nga ushtria turke, por ka udhëzuar ushtrinë e dobët vendase që të mos i kundërpërgjigjet ndërhyrjes.
PKK, e cila klasifikohet si një organizatë terroriste nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka nisur një fushatë guerrile ndaj autoriteteve turke që prej vitit 1984, me qëllim që të themelojë një shtet të pavarur kurd, në krahinat lindore të Turqisë.
Midis pothuajse 80 milionë banorëve të Turqisë, 20% e tyre janë kurdë.
Top Channel