Falklands, përballje Cameron-Fernandez

20/06/2012 16:10

Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, u përball me Presidenten e Argjentinës në lidhje me pretendimet e saj territoriale për ishujt Falklands.

Në praninë e presidentes Cristina Fernandez de Kirchner, Cameron kërkoi të mërkurën që ajo “të respektojë pikëpamjet e banorëve vendas, që kanë vendosur të mbajnë një referendum të ri, për të shprehur përkatësinë e tyre.

Cameron theksoi se “ndonëse Britania nuk ka ndërmend të përfshihet në bisedime për ishujt Falklands, Buenos Airesi duhet të njohë parimet e vetvendosjes së banorëve vendas”.

Nga ana e saj, Fernandez i kërkoi kryeministrit britanik që të respektojë mendimin e OKB-së, ku shumica e vendeve përkrahin pretendimet argjentinase, por Britania është një prej pesë vendeve me të drejtë veto dhe si i tillë mund të bllokojë çdo nismë diplomatike kur ta shohë të arsyeshme.

Ministri i Jashtëm i Argjentinës, në një deklaratë zyrtare, përdori tone më të ashpra ndaj Londrës zyrtare. “Pas vitesh në të cilat Britania sillet ende si një fuqi koloniale, duket se Londra ka harruar përgjegjësinë e saj pikërisht për ngritjen e atij sistemi, ku vende si Argjentina kanë qenë padrejtësisht palë humbëse”, shkruhej në deklaratë.

Të dy liderat u takuan në punimet e G20, që po zhvillohet në qytetin meksikan të Los Kabos.

Një takim informal midis dy liderva ndodhi përpara se të hynin në sallë, kur secili prej tyre shkëmbeu një përshëndetje dhe folën për një kohë të shkurtër mes tyre.

Takimi Fernandez-Cameron ndodhi në përvjetorin e 30-të të një konflikti 3-mujor për ishujt. Në vitin 1982, Argjentina e drejtuar nga një juntë ushtarake pushtoi ushtarakisht Falklands, por u tërhoq pasi disa betejave të ashpra, që i morën jetën më shumë se 1 mijë ushtarëve.

Argjentina fitoi pavarësinë nga Spanja në vitin 1810, me ishujt Falklands, në spanisht Malvinas, si pjesë përbërëse e territorit, por Britania e Madhe i pushtoi në vitin 1833 dhe që prej atëherë territori me madhësi të ngjashme sa Kosova, i ndodhur vetëm dhjetëra kilometra nga brigjet e Amerikës së Jugut, mbetet pjesë e kurorës së Mbretërisë së Bashkuar.

Top Channel