
Një këngëtare e re pakistaneze është vrarë mbrëmjen e së hënës me armë
zjarri bashkë me të atin, në një pazar të populluar të Peshauarit,
Pakistan.
Një vrasje kjo që hetuesit mendojnë të jetë një formë ndëshkimi e vendosur në ambjentet islamike më tradicionale, shkruajnë gazetat pakistaneze ditën e martë.
Ghazala Javed, pothuajse 20 vjeç, ishte bërë e famshme në luginën e Suotit duke kënduar në gjuhën pashtu, por i ishte dashur të largohej drejt Peshauarit pasi kishte marrë kërcënime nga grupe të paidentifikuara talebanësh.
Vitin e kaluar ajo ishte martuar, por martesa e saj kishte zgjatur pak, pasi prindërit e bashkëshortit donin t’i ndalonin asaj përparimin e cilësive artistike.
Por tani, pikërisht bashkëshorti është mes të dyshuarve kryesorë në hetime. Policia ka bërë të ditur se një komandë personash të armatosur kanë hyrë në aksion mbrëmjen e djeshme në Dabgari Bazar, duke e vrarë të renë me gjashtë plumba në gjoks.
Në të njëjtin sulm ka mbetur i vrarë edhe babai i 20-vjeçares, ndërsa motra e saj e vogël, Farhat, ka mbetur e plagosur lehtë, njoftojnë mediat pakistaneze
Top Channel