Pakistan, gjykata shkarkon kryeministrin

19/06/2012 00:00

Gjykata më e lartë e Pakistanit ka shkarkuar kryeministrin Yousuf Raza
Gilani nga detyra e tij, dy muaji pasi e dënoi për shpërfillje të trupit
gjykues.

Gjykata Supreme vendosi se Gilani “kishte rreshtur së qeni kryeministër i Pakistanit”.

Në prill, e njëjta instancë gjyqësore e dënoi atë për dështim në hetimin e akuzave për korrupsion të bëra ndaj presidentit Asif Ali Zardari.

Atëherë, Gilani argumentoi se kishte imunitet kushtetues nga ndjekja penale. Por zotit Gilani iu dha vetëm një dënim simbolik dhe iu fal dënimi me burg.

Në seancën e së martës, gjykata e shkarkoi atë nga detyra dhe e përzuri nga parlamenti. “Meqenëse asnjë apel nuk u bë ndaj vendimit të 26 prillit, Syed Yousuf Raza Gilani skualifikohet si anëtar i parlamentit”, deklaroi kreu i trupit gjykues.

Ai shtoi se, Gilani kishte rreshtur së qëni edhe kryeministër i vendit prej kohësh dhe se zyra në fjalë tani mbetet vakante.

Ndërkohë, ende nuk dihet se çfarë hapash do të marrë zoti Gilani pas këtij vendimi, apo nëse lëvizja e tij nënkupton rënien e tërë qeverisë.

Korrespondentja e BBC në Islamabad, Orla Guerin thotë se liderët e partisë në pushtet, Partia e Popullit, janë mbledhur në një sesion të jashtëzakonshëm.

Top Channel