Konflikti i armatosur në Lindjen e Mesme, Meloni: Ne nuk jemi në luftë dhe nuk duam të hyjmë në një të tillë
Neonazistët gjermanë ndihmuan terroristët palestinezë që të vrasin 11 atletë hebrenj gjatë Lojrave Olimpike të Mynihut, në vitin 1972.
Kjo e dhënë është bërë publike nga deklasifikimi i sekreteve shtetërore gjermane, 40 vjet pasi kjo ngjarje ka ndodhur.
Midis 2 mijë faqeve që janë publikuar nga arkivat, fajësohet si bashkëpunëtor me njësinë e Organizatës për Çlirimin e Palestinës neo-nazisti Willi Pohl, i cili vazhdon të jetojë në Dortmund.
Sipas të dhënave, njeriu që udhëhoqi sulmin famëkeq, Abu Daoud, u prit dhe qarkulloi në Gjermani falë ndihmës së Pohl, i cili nga ana e tij u bë ndërmjetës dhe i furnizoi palestinezët me pasaporta falso.

I pyetur së fundmi, 68-vjeçari Pohl, i cili ka folur me kusht që fotografitë dhe të dhënat e tjera të jetës së tij të mos bëhen publike, pretendon se nuk kishte dijeni për organizimin e sulmit ndaj hebrenjve.
Ai u arrestua në Mynih në tetor 1972, një muaj pas masakrës dhe u dënua me dy vjet burg për armëmbajtje pa leje.

Megjithatë, ndonëse lidhja e tij në këtë masakër ka qenë e dokumentuar sipas shërbimeve sekrete, këto lidhje nuk u vendosën asnjëherë në hetim nga policia.
Në 5 shtator 1972, gjatë zhvillimit të Lojrave Olimpike, një njësi tërroriste hyri në fshatin olimpik në Mynih në dhomat e disa atletëve hebrenj, dy prej të cilëve u vranë në moment në rezistencën që zhvilluan.

Policia gjermane arriti të realizonte një marrëveshje, në bazë të së cilës terroristët dhe pengjet e tyre do të lejoheshin të transferoheshin në një aeroport, nga i cili do të udhëtonin në Egjipt, ku do të lejonin atletët të riktheheshin në vendin e tyre.
Megjithatë, në momentin përfundimtar në aeroport, snajpera gjermanë nisën të qëllonin, duke i dhënë të kuptonin terroristëve që ishin në një kurth. Si rrjedhojë, ata hodhën granata brenda helikopterëve, të cilët shpërthyen dhe i morën jetën të gjithë atletëve.
Vetëm tre atentatorë mbetën të gjallë dhe u burgosën, për t’u liruar më pas kur një avion i “Lufthansa” u mor peng në vitin 1973 dhe u la vetëm në këmbim të lirimit të tyre.

Dy prej tyre, së bashku me disa organizatorë të tjerë të sulmeve, u vranë në vijmësi nga Shërbimet Sekrete Izraelite të “Mossad”, një një operacion hakmarrje, të quajtur “Shtatori i Zi”.
Top Channel