Kriza në fokusin e G-20

19/06/2012 00:25

“G20 angazhohet për të marrë të gjithë masat e nevojshme për të perforcuar rritjen ekonomike dhe për të krijuar vende të reja pune”.

Kjo është shkruar në projekt/deklaratën e gatshme të takimit që zhvillohet në Los Kabos të Meksikës. Samiti vuri perballë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian. Presidenti i Komisionit Europian, Zhose Manuel Barroso tha se kriza e ka origjinën në Amerikën Veriore dhe shumë prej instituteve tona financiare u kontaminuan nga praktikat jo rigoroze e strukturave financiare amerikane. “Nuk kemi ardhur këtu për të marrë leksione”, tha ai.

Barroso iu drejtua edhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. “Nuk ka arsye përse FMN të mos impenjohet. Bashkimi Europian është kontribuesi më i madh i Fondit, edhe në kohërat e krizës”.

“Unë pres që udhëheqësit e G20-ës të mbështesin dhe shprehin besimin e tyre ne hapat e ndërmarrë nga Europa dhe për ata që do të marrim shumë shpejt”, tha Barroso.

Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuj iu referua zgjedhjeve në Greqi. Ai u shpreh optimist se qeveria greke do të formohet shpejt dhe do të mbështesë planin e shpëtimit të BE-së dhe FMN-së.

Presidenti amerikan Barak Obama gjatë takimit me homologun meksikan pritës të takimit, Felipe Calderon foli per Greqine:
          
“Zgjedhjet në Greqi treguan një prespektive jo vetëm për ata që do të formojnë qeverinë por dhe për ata që punojnë në mënyrë konstruktive me partnerët ndërkombëtarë, që të vazhdojnë rrugën e reformave dhe ta bëjnë në një mënyrë që do të ofrojë prespektivë për popullin grek, për të arritur sukses dhe përparuar”, deklaroi Obama.

Presidenti amerikan Obama tha se udhëheqësit botërorë duhet të punojnë për të stabilizuar sistemin financiar dhe të shmangin proteksionizmin. Ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin bëri thirrje për rregulla që do të lejonin proteksionizmin për ato vende që përballen me krizën financiare.
           
“Është koha të ndalojmë pretendimet dhe të arrijmë një pakt të ndershëm për nivelin e pranueshëm të masave proteksioniste që qeveritë mund të ndërmarrin, për të mbrojtur vendet e punës në kohën e krizave botërore”, theksoi Putin.

Sipas analistëve, megjithëse Europa është në rrezik të madh, probleme ka dhe në vende të tjerë të G-20-ës, duke nisur me dy ekonomitë më të mëdha, SHBA dhe Kinën, por jo vetëm edhe rënia e ritmit ekonomik në Indi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA