
Në kohën kur dhuna është përshkallëzuar ndjeshëm në vend, aq sa misioni vëzhgues ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara të pezullojë punën në terren, Siria i bën thirrje Italisë dhe Europës ta ndihmojë “në luftën” kundër ekstremistëve.
Në një intervistë për agjencinë italiane të lajmeve, ANSA Ministri i Jashtëm sirian, Jihad Makdissi deklaroi se Europa, në vend që të angazhohet për sannkione të reja ndaj Sirisë, duhet të ndihmojë Damaskun në luftën e tij kundër Al Kaedas dhe ekstremistëve salafitë gjithnjë e në rritje në vend.
Ministri vlerësoi marrëdhëniet e mira që Siria ka me Italinë, pavarësisht se vota e Roma ka qenë pro sanksioneve të BE-së ndaj regjimit të Bashar al Assad.
“Italia është partneri ynë kryesor tregtar dhe ne besojmë tek këto marrëdhënie që kemi ngritur me partneritetin tonë kryesor ekonomik. Italia duhet të na ndihmojë të luftojmë terroristët, bashkë me Bashkimin Europian”, tha Makdissi.
Ndërkohë, presidenti amerikan Barak Obama dhe ai rus Vladimir Putin janë shprehur që të dy për fundin e menjëhershëm të dhunës në Siri.
Në deklaratën e përbashkët të lëshuar pas takimit të tyre të parë që nga rikthimi i Putinit në presidencën ruse, dy liderët bënë të qartë se ndajnë të njëjtin mendim përsa i takon popullit sirian: ai duhet ta përcaktojë vetë të ardhmen e tij.
Por përpos kësaj deklarate, nuk pati ndonjë shenjë konkrete të ngushtimit të dallimeve mbi sanksionet kundër Damaskut. Pas një jave akuzash reciproke mes diplomatëve amerikanë e rusë, bisedimet e grupit të G20-es në Los Cabos të Meksikës, testuan që dy liderët të farkëtojnë mes tyre një marrëdhënie bashkëpunimi e të gjejnë gjuhën e përbashket për Sirinë apo çështje të tjera polemizuese.
“Në këndvështrimin tim, kemi gjetur shumë pika të përbashkëta për çështjen e Sirisë”, tha Putin.
“E diskutuam dhe ramë dakort që dhuna duhet të përfundojë dhe një proces politik duhet krijuar për parandalimin e luftës civile dhe vdekjeve të llahtarshme që kemi parë javët e fundit”, tha Obama.
Top Channel