Djegia e magjistarëve dhe magjistricave në turrën e druve ishte një praktikë e lidhur ngushtë me Europën mesjetare.
Megjithatë, praktika të tilla vazhdojnë të aplikohen edhe në ditët e sotme në botë, në shoqëri thellësisht tradicionale, si ajo në Arabinë Saudite.
Ditën e martë, një burrë u ekzekutua me prerje koke, për kryerje të akteve të magjisë, që konsiderohet si një prej krimeve më serioze, në bazë të ligjit islamik në fuqi në vend.
Sipas Agjensisë Shtetërore të Lajmeve, Muree bin Ali bin Issa al-Asiri u gjet me disa libra magjie dhe disa hajmali në banesën e tij.
Ai gjithashtu kishte pranuar lidhje jashtëmartesore me dy gra, një krim gjithashtu i dënueshëm me vdekje.
Ekzekutimi u realizua në krahinën jugore të Najranit, pavarësisht protestave të fuqishme të disa grupeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Vitin e shkuar, të paktën dy persona të tjerë u ekzekutuan për magji. “Amnesty International”, nëpërmjet një deklarate, shprehu “zhgënjim të thellë” që Arabia Saudite vazhdon të praktikojë në masë dënimet në vdekje, aq më tepër për akuza të tilla si magjia, që në shumicën e vendeve nuk klasifikohet as si vepër penale.
Së fundmi, një tjetër person u ekzekutua në Sudan, pasi ai u kap në flagrancë duke parashikuar fatin nëpërmjet shikimit të letrave.
Top Channel